
Nuk u preferua nga trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, por Brojës i mjaftuan pak minuta në dispozicion për të shmangur humbjen e Çelsit në sfidën e çmendur kundër Mançester Sitit, ku një lëvizje e tij nxori blof të gjithë prapavijën e “Qytetarëve” duke fituar një 11-metërsh.
“Bomberi” kuqezi duket se ka lënë pas plotësisht dëmtimin e pësuar gjatë grumbullimit me Shqipërinë, por drejtuesit e Bluve të Londrës nuk po nxitohen, duke e aktivizuar me kujdes, pasi Broja për ta përfaqëson një investim të madh, një prodhim i akademisë me të cilin kanë një kontratë afatgjatë deri në vitin 2028.
Blutë kanë investuar këtë periudhë, post Abramoviç, mbi 1 miliardë euro, por sërish janë të pakënaqur, pasi trajneri Poçetino ka dhe një dëshirë të madhe, Viktor Osimhen. Klubi londinez pritet të futet në merkato në janar për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Napolit, por për të arritur tek Osimhen duhen minimalisht 120 milionë euro, kaq e vlerëson De Laurentis.
Drejtuesit e Çelsit, do të përpiqen që gjatë janarit, të ulin disi kostot e këtij transferimi, për këtë arsye në skenë del emri i Brojës, një lojtar që mund t’i sjellë arkave të klubit të paktën 30 milionë paund.
Sipas mediave angleze, nuk do të ishte problem që Çelsi të shiste Brojën, pasi për të interesohen disa klube, mbi të gjitha Uest Hemi, skuadër që edhe në verën e vitit 2021 u paraqitën në dyert e klubit me një ofertë zyrtare prej 30 milionë paund, por në atë kohë Çelsi e refuzoi në mënyrë kategorike.
Me ardhjen e mundshme të Osimhen, hapësirat për Brojën do të zvogëloheshin ndjeshëm, një arsye më shumë që Blutë këtë herë të pranojnë ofertat që mund të vijnë për Brojën.
Lini një Përgjigje