TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Shtator 2023, 20:07

Disfata ndaj Partizanit, drejtuesit e Dinamos mbledhje për të ndalur “hemorragjinë”

Shkruar nga Pamfleti

Disfata ndaj Partizanit, drejtuesit e Dinamos mbledhje për të ndalur

Këto 5 javë kampionat kanë sjellë zhgënjim të madh te drejtuesit dhe tifozët e Dinamos, pasi skuadra ka thyer çdo parashikim në sensin negativ.

Humbja e fundit në derbin me Partizanin dhe shkërmoqja e skuadrës pas golit të parë të pësuar riktheu në memorie Dinamon e brishtë të sezoneve më parë. Këtë sezon shpenzimet janë shumë më të mëdha, sidomos në stafin teknik, por blutë kanë mbetur në fundin e tabelës, me vetëm 3 pikë.

Numrat lënë pak hapësirë për interpretim, një katastrofë e vërtetë. Trajneri Di Biaxho ka përmendur kohën e shkurtër prej 20 ditësh të formimit të skuadrës, më parë lojën e mirë në dy javët e para dhe rastet e humbura, por fakt është se te Dinamo ka një “hemorragji”, që duhet ndaluar sa më parë.

SAMITI – Një ditë pas humbjes në derbi drejtuesit kryesorë të Dinamos, me në krye presidentin Bardhi, kanë zhvilluar një mbledhje me stafin teknik, ku është folur për situatën shqetësuese dhe mundësitë për të dalë prej kësaj krize rezultatesh. Sigurisht, është një moment ku kërkohet një shkundje e fortë për të bërë kthesën, raporton "Panorama Tv".

Dinamo është një skuadër e re, kërkon pak kohë normalisht, por stafi teknik dhe lojtarët patjetër që kanë përgjegjësi direkte për humbjet e njëpasnjëshme.

Për këtë arsye është bërë edhe ai takim, për të kuptuar se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet bërë duke nisur që nga ndeshja me Laçin, që së pari të ndalet “hemorragjia” dhe më pas të nisë “kurimi” për ta çuar në skuadrën në gjendjen për të pretenduar diçka. Gazeta mëson se pjesa e dytë e ndeshjes me Partizani ka lënë një shije shumë të hidhur te drejtuesit e Dinamos.

Nuk bëhet fjalë për të marrë masa as ndaj stafit dhe as ndaj lojtarëve, sepse jemi ende në fillim të sezonit. Por diçka duhet korrigjuar menjëherë. Për të dytën herë në këto 5 javë presidenti ka kërkuar që skuadra të jetë sa më e bashkuar, në mënyrë që të kalojë këtë krizë, që mund të duket edhe absurde deri diku.

PËRTEJ LIMITEVE – Dinamo dha shenja të mira në dy ndeshjet e para, edhe pse humbi. Luajti si e barabartë me Tiranën në derbi, po ashtu edhe me Skënderbeun tregoi nivel të kënaqshëm, ndërsa në derbin me Partizani blutë treguan limite.

Është për të ardhur keq, kur mendon se çfarë investimesh janë bërë. Ndoshta stafi teknik i Dinamos, duke mos e njohur mirë kampionatin shqiptar, ka kërkuar më shumë sesa kjo skuadër ka mundësitë e saj.

Edhe pse ka pësuar humbje të rënda, strategjia në fushë nuk ka ndryshuar. E njëjta skuadër, si ndaj Kukësit dhe Erzenit, e po ashtu ndaj Tiranës dhe Partizanit. Blutë kanë pasur gjithmonë 4 lojtarë sulmues në fushë, të cilët gjithsesi kanë hasur vështirësi për të shënuar, por në të njëjtën kohë kanë krijuar deficit edhe në lojën mbrojtëse të skuadrës.

Nëse do të ishte menduar pak më shumë për mbrojtjen, me siguri Dinamo do të kishte ndonjë pikë më shumë në tabelën e renditjes dhe moral më të lartë se tani.

partizani dinamo

Lini një Përgjigje