Atletiko e Madridit ka fituar derbin ndaj Realit duke siguruar një rezultat të rëndësishëm për moralin në një start sezoni që nuk ka qenë aq i mirë për ekipin e drejtuar nga Diego Simeone.
Brenda 20 minutash, “Los Kolçoneros” “tronditën” dy herë portën e mbrojtur nga Kepa Arrizabalaga. Fillimisht ishte Morata që ndëshkoi ish-skuadrën e tij, ndërsa më vonë Griezman dyfishoi shifrat pas një koordinimi perfekt me kokë.
Djemtë e Ançelotit u zgjuan brenda pjesës së parë dhe shkurtuan diferencën me një gol fantastik të Kros. Madje, “Los Blancos” u shpërblyen me golin e barazimit në fundin e fraksionit, por u anulua për pozicion jashtë loje, duke ngrirë kështu buzëqeshjen e autorit të golit, Kamavinga.
Menjëherë sapo filloi pjesa e dytë, vendasit thelluan epërsinë me Moratën, për ta bërë kështu një mision pothuajse të pamundur kthimin e rezultatit për kundërshtarit. Atletiko u mbrojt mjaft mirë në këtë takim dhe mori kështu 3 pikë të arta, që e çojnë në kuotën e 10 të tillave në 5 ndeshje kampionat.
Një humbje që i jep fund startit perfekt të kampionit, ku kishin regjistruar 5 fitore në 5 ndeshje, teksa tani janë në vendin e tretë në renditje, të kaluar nga Barcelona dhe Zhirona.
Lini një Përgjigje