TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Korrik 2024, 16:07

Diku 5 lopë, diku 700 mijë euro, bronzi vetëm 7 euro, sa vlejnë medaljet olimpike në “Paris 2024“

Shkruar nga Pamfleti

Diku 5 lopë, diku 700 mijë euro, bronzi vetëm 7 euro, sa

Lojërat Olimpike në Paris janë pranë (26 korrik – 11 gusht 2024) dhe me këtë rast organizatorët kanë përgatitur saktësisht 5084 medalje që do t’u shpërndahen sportistëve më të mirë në botë.

Por, sa vlejnë financiarisht ato? Për çdo sportist, një medalje olimpike nuk ka çmim. Ato janë të shtrenjta edhe për koleksionistët, por vlera e tyre në fushën teknike nuk është aq e madhe. ‘Gazzetta dello Sport’ ka zbuluar tashmë se sa vlejnë teknikisht medaljet olimpike, nëse metalet do të shkriheshin.

Organizatorët e Lojërave Olimpike në Paris bënë 5084 kopje të medaljeve të arta, argjendta dhe bronzta që presin pronarët e tyre të rinj. Ajo që i ndan olimpistët e këtij viti nga e kaluara është fakti se në çdo medalje do të futet një copë hekuri nga Kulla Eifel.

Në çdo medalje do të përdoren 18 gram hekur nga Kulla Eifel dhe pjesët që janë përdorur gjatë restaurimeve të mëparshme do të përdoren, pra nuk do të hiqen nga ndërtesa aktuale. Medalja e artë peshon 529 gram, argjendi 525 gram dhe bronzi 455 gram.

Në Europë vetëm Serbia, paguan më shumë se çdo shtet tjetër, 200 mijë euro për medaljen e artë. Në krye të renditjes speciale është Hong Kongu, i cili e vlerëson një medalje të vetme olimpike me 700 mijë euro.

Më pas Singapori dhe Tajvani, shtete që për medaljen e artë do të japin 550 mijë euro. Por jo vetëm kaq, pasi për sportistët do të kenë një pagë prej 3700 eurosh në muaj për gjithë jetën.

Franca, vendi organizator, ndalet në 80 mijë euro. Ajo që bie në sy janë vetëm 34 mijë eurot e paguara nga Shtetet e Bashkuara, një shumë qesharake kur mendon se LeBron Xhejms, që mban flamurin, ka një rrogë stratosferike.

Britania e Madhe, Suedia dhe Norvegjia janë ndër vendet që nuk japin shpërblim për sportistët që fitojnë medalje olimpike. Ka vende ku medalja jepet në formë bonuesh, sai Kazakistani dhe Kina, që ofrojnë vila dhe apartamente.

Polonia jep bizhuteri për medalistët apo udhëtime, ndërsa sportistët indonezianë, tre vjet më parë, pas sukseseve të tyre në Japoni, morën pesë lopë, një restorant dhe një shtëpi krejt të re.

Lavdi, para dhe privilegje, sepse një medalje olimpike është e përjetshme.

Sa i përket medaljeve të arta, natyrisht, ato nuk janë plotësisht të arta. Vetëm në Lojërat Olimpike në vitet 1904, 1908 dhe 1912 medaljet u bënë tërësisht prej ari të pastër. Pas kësaj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi një normë që thotë se gjashtë gram ari të pastër shkojnë për medaljen e artë në Lojërat Olimpike. 523 gramët e mbetura të përdorura për medaljen e artë janë prej argjendi me një pastërti minimale prej 92.5 përqind.

Nëse do të shisje një medalje ari nga Parisi thjesht duke shkrirë metalin, do të merrje “vetëm” 700 euro. Me të njëjtin parim, po të shkrije metalet nga medalja e argjendtë, do të merrje 400 euro.

Gjëja më interesante është se vlera e medaljes së bronztë është shtatë euro. Është e qartë se aliazhi i përbërë nga bakri dhe zinku ka një vlerë të papërfillshme në treg në krahasim me arin dhe argjendin, por miliona sportistë do të jepnin gjithçka për të marrë në dorë atë medalje, e cila fizikisht vlen shtatë euro.

 

lojërat olimpike medaljet

Lini një Përgjigje