Tirana U-18 është shpallur kampione e “Abissnet Superiore” për këtë grupmoshë, pasi mposhti Partizanin në transfertë në ndeshjen vendimtare të “play off”-it. Bardheblutë triumfuan me rezultatin 0-1 në “Arena e Demave”, duke siguruar titullin pas një dueli të luftuar dhe me emocione deri në fund.
Sfida mori rëndësi të veçantë për shkak të diferencës minimale prej vetëm një pike mes dy skuadrave para përballjes. Goli vendimtar u shënua nga Qerimaj në minutën e 18-të, duke i dhënë avantazhin Tiranës, që më pas arriti ta ruajë deri në vërshëllimën përfundimtare.
Megjithatë, pas përfundimit të takimit, festa sportive u zëvendësua nga tensioni dhe dhuna në fushë. Situata degradoi në përplasje fizike mes lojtarëve dhe anëtarëve të të dy kampeve.
Incidenti nisi kur një futbollist i Tiranës vendosi fanelën bardheblu mbi flamurin e këndit dhe tentoi ta ngulte atë në mesin e fushës. Veprimi u konsiderua provokues nga lojtarët e Partizanit, çka solli reagime të menjëhershme dhe përplasje mes palëve.
Në kaosin e krijuar u përfshinë edhe tifozë që hynë në fushë, ndërsa situata doli për disa minuta jashtë kontrollit. Raportohet për grushte, shkelma dhe tensione edhe ndaj efektivëve të policisë të pranishëm në stadium.
Një tjetër episod i rëndë lidhet me asistentin e Tiranës, Kevin Paraj. Edhe pse ishte ndëshkuar më herët me karton të kuq, ai u rikthye në fushë pas ndeshjes dhe goditi me grusht një lojtar kundërshtar, duke u konsideruar si një nga momentet që ndezi konfliktin masiv.
Ngjarja ka sjellë reagime të shumta në opinionin sportiv, ndërsa pritet që organet disiplinore të Federatës Shqiptare të Futbollit të marrin masa lidhur me incidentet e regjistruara në fund të finales së kampionatit U-18.
Lini një Përgjigje