
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, pritet të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet “play-off” të Botërorit 2026 këtë të shtunë, por situata në prag të shpalljes së saj nuk duket e qetë.
Në ndeshjen e sotme të kampionatit turk mes Beshiktashit dhe Kashimpashës, mesfushori Kristjan Asllani u largua nga fusha në minutën e 71-të, pas një goditjeje në këmbë. Futbollisti, i cili ishte titullar dhe po zhvillonte një paraqitje pozitive, u pa duke çaluar në momentin e zëvendësimit, çka ka ngritur shqetësime në radhët e stafit kuqezi.
Asllani konsiderohet një nga lojtarët kyç të mesfushës së Kombëtares dhe një pikë referimi në organizimin e lojës, si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Çdo problem fizik i tij në këtë moment mund të ndikojë në planet e trajnerit.
Burime pranë stafit teknik shpresojnë që bëhet fjalë vetëm për një goditje të lehtë dhe jo për një dëmtim serioz, megjithatë gjendja e lojtarit pritet të vlerësohet në vijim.
Lini një Përgjigje