
Çelsi është eliminuar me rezultat të thellë nga PSG në përballjen e dyfishtë të Ligës së Kampioneve, duke pësuar humbje të rënda si në Paris ashtu edhe në Londër. Skuadra franceze fitoi 5-2 në ndeshjen e parë dhe 3-0 në të dytën, duke dominuar plotësisht ekipin e drejtuar nga Liam Rosenior.
Situata u komplikua edhe nga publikimi i planeve taktike të Çelsit në mediat franceze disa orë para të dyja sfidave. Në ndeshjen e parë u bë publik formacioni, përfshirë edhe ndryshimin e planifikuar në portë, ndërsa për takimin e kthimit u raportua paraprakisht se Uesli Fofana do të lihej pushim.
Këto zhvillime ngritën dyshime për ekzistencën e një burimi të brendshëm që po shpërndante informacion konfidencial.
Pas ndeshjes së parë, trajneri Rosenior deklaroi se do të niste hetimet për të identifikuar përgjegjësin. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Evertonin, ai konfirmoi se personi në fjalë ishte identifikuar.
“Ne e dimë kush është. Informacioni nuk ka dalë me qëllim të keq ndaj meje apo ekipit. E kemi identifikuar burimin dhe e kemi trajtuar si çështje,” u shpreh Rosenior.
Sipas trajnerit, personi përgjegjës nuk është pjesë e skuadrës, ndërsa klubi ka marrë masat për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Ai siguroi se rrjedhje të tilla informacioni nuk do të përsëriten.
Lini një Përgjigje