TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Maj 2023, 18:10

Bylisi ndal Tiranën dhe i “dhuron” titullin Partizanit, Teuta i falet Lorenco Vilës, ‘finalja’ e mbijetesës mbyllet pa gola, nuk ka fitues në derbin e veriut

Shkruar nga Pamfleti

Bylisi ndal Tiranën dhe i “dhuron” titullin Partizanit, Teuta i

Përfundojnë ndeshjet e javës së 35 të Abissnet Superiore. Tirana është surprizuar në minutat e fundit nga Bylisi, duke humbur mundësinë e artë për titullin kampion. Ndeshja e luajtur në Rrogozhinë është mbyllur në barazim 2-2.

Bardheblutë zhbllokuan sfidën në minutën e 22. Abazaj gjeti Hilën në zonë dhe ky i fundit tundi rrjetën.

4 minuta më vonë, Bylisi barazoi shifrat. Një kthim i topit mbrapa te Përgjoni i dha mundësinë Danladit të gjuante fluturimthi dhe të gjente rrjetën.

Në minutën e 53, Tirana gjeti golin e epërsisë. Hila gjeti sërish rrjetën pas një tjetër kombinimi me Abazajn.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e bardhebluve, Bylisi barazoi shifrat me Adilin nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë barazim, Tirana zbret në vendin e dytë me 64 pikë, ndërsa Bylisi renditet në vendin e 9 me 38 pikë.

Partizani ka shkatërruar me “poker” Kastriotin, duke triumfuar me shifrat 1-4. Krutanët zhbllokuan ndeshjen në minutën e 9. Kamara krosoi drejt Grecës dhe ky i fundit goditi me të majtën potente dhe mposhti portierin Rexhepin.

Në minutën e 39, Partizani barazoi shifrat. Me një goditje potente me të djathën, Rrapaj shkundi rrjetën e Salit.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, “Të Kuqtë” morën epërsinë. Maget krosoi drejt Da Silvës dhe ky i fundit goditi me kokë.

Në minutën e 58, Partizani gjeti golin e qetësisë. Murataj goditi drejt portës, Malaj e priti topin por ia ktheu sërish futbollistit. Ai nuk gabon në herën e dytë.

Në minutën e 63, skuadra e Kolelës realizoi edhe golin e katërt. Rrapaj harkoi nga goditja e këndit dhe Da Silva shënoi sërish me kokë.

Me këtë fitore, Partizani merr vendin e parë me 64 pikë, po aq sa Tirana, ndërsa Kastrioti zbret zyrtarisht në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjet e tjera, Vllaznia barazoi 1-1 me Laçin. Shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 47 me Bekim Balajn. Hakaj krosoi në zonë për Balajnm, i cili në pozicion të prirët kërkoi trekëndëshin e Selmanit, duke e çuar topin në rrjetë.

Në minutën e 70, Guindo i vetëm në zonë goditi, por topi u ndal nga Zogoviç, por pati një devijim me dorë nga Bulatoviç dhe u ndëshkua me karton të kuq, por pas ndërhyrjes së sistemit VAR, Hamiti anuloi kartonin e kuq dhe e ndëshkoi me të verdhë mbrojtësin.

3 minuta më vonë, Guindo barazoi shifrat për Laçin nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë barazim, Vllaznia renditet në vendin e 4 me 47 pikë, ndërsa Laçi mban vendin e 6 ne 45 pikë.

Teuta ka mposhtur Egnatian në “Niko Dovana” me rezultatin minimal 1-0. Heroi i durrsakëve ishte Lorenco Vila me golin e realizuar në minutën e 3.

Me këtë fitore, Teuta renditet në vendin e 4 me 48 pikë, ndërsa Egnatia mban vendin e 3 me 52 pikë.

E vetmja ndeshje e mbyllur në barazim pa gola ishte ajo e zhvilluar mes Kukësit dhe Erzenit. Ky barazim mban verilindorët në vendin e 7 me 42 pikë, ndërsa Erzeni renditet në vendin e 8 me 40 pikë.

tirana partizani teuta vllaznia abissnet superiore

Lini një Përgjigje