
Transferta e Barcelonës në Belgjikë kundër Antuerpenit në Champions League ka rezultuar një makth i vërtetë për katalanasit dhe ka tërbuar presidentin Laporta, i cili nuk ka qenë aspak i kënaqur me vendimet e trajnerit Çavi për të lënë jashtë ekipit Araujo, Gyndogan dhe Levandovskin.
Një humbje që ka përkeqësuar atmosferën brenda klubit, pasi vjen pas dështimit fundjavën e kaluar në kampionat kundër Xhironës.
Në Belgjikë, katalanasit humbën 3-2, duke e pësuar golin vendimtar në sekondat e fundit pak pas barazimit të përkohshëm 2-2.
Blaugranat e përfunduan grupin në vendin e parë, por humbën gati 3 milionët që garanton UEFA për çdo fitore në fazën e grupeve.
Mungesa e të ardhurave nuk e ka gëzuar Laportën, i cili u zhgënjye edhe nga paraqitja e dobët e bërë ndaj një skuadre që deri tani nuk kishte marrë asnjë pikë në grup.
Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në formacion të bëra nga Çavi përpara ndeshjes delikate në “Mestalla” kundër Valencias të dielën, presidenti priste një reagim shumë të ndryshëm. Laporta nuk e fshehu zhgënjimin e tij në fund të ndeshjes.
Kamerat e ‘El Chiringuito’ në fakt filmuan Laportën, teksa priste në parkingun e “Bosuilstadion” në Antuerpenit përpara se të dilte para skuadrës me një pamje të zymtë.
Siç shihet në një video të publikuar nga ‘La TdT’, Laporta dhe pjesa tjetër e drejtuesve janë larguar nga stadiumi pa bërë asnjë deklaratë.
Barcelona duket se është buzë një krize, por duket se nuk e mendon kështu Ferran Torres, autori i golit të parë të katalanasve, që ka dashur të mbrojë grupin nga polemikat nga jashtë:
“Jemi shumë të bashkuar dhe nga ana e trajnerit tonë, – ka thënë sulmuesi. – Jemi të parët që jemi të zhgënjyer, por tani duhet të përqendrohemi te kampionati. Nga jashtë po kërkojnë të na shkatërrojnë, por e dimë dhe duhet të bashkëjetojmë me këtë”.
???? LA CARA DE LAPORTA TRAS EL DESASTRE ????
— El Chiringuito TV (@elchiringuitotv) December 13, 2023
???? IMAGEN @elchiringuitotv: hoy todo puede pasar... pic.twitter.com/qja2TlcVIZ
Lini një Përgjigje