
Është mbyllur mbrëmjen e sotme faza e grupeve të Champions League.
Pas verdikteve të ndeshjeve të raundit të 6, PSG dhe Porto janë dy skuadrat e fundit që kanë siguruar kualifikimin për në fazën e 1/16-ve.
Në grupin e ferrit, atë F, PSG ka arritur të barazojë 1-1 me Dortmundin dhe ky rezultat bën që francezët të pozicionohen të dytët në grup dhe të vazhdojnë aventurën e tyre në Champions League.
Në “Saint James Park” Njukasëlli vendas humbi 1-2 me përmbysje nga Milani në raundin e fundit të grupeve në Champions League. Megjithë tri pikët në udhëtim, Milani mbetet jashtë Championsit, kjo pas barazimit 1-1 të Dortmundit dhe PSG-së.
Kuqezinjtë sigurojnë një vend në play-off e Ligës së Europës si vendi i tretë në grupin F. Në sfidën e Anglisë, Njukasëlli kaloi në epërsi me Xhoelinton në minutën e 33. Në pjesën e dytë italianët ndryshuan fytyrë dhe përmbysën ndeshjen me Pulisiç në minutën e 59 dhe Çukueze në minutën e 84.

Në grupin H, Barcelona humbet 3-2 ndaj Antuerpenit të Arbnor Mujës, rezultat i cili nuk përbën problem. Ia del Porto të kualifikohet si e dyta në grup pasi mundën 5-3 Shakhtarin e Donjetskut.

Në grupin E Atletiko e Madridit ka arritur të fitojë në “Metropolitano” kundër Lacios me rezultatin 2-0. Grizman në pjesën e parë dhe Lino në të dytën i dhanë fitoren skuadrës së Simeones kundër Hysajt me shokë dhe kështu e mbyllën Grupin E në vendin e parë, ndërsa italianët kualifikohen si të dytët.
Po në këtë grup, Sëlltiku mposhti Fejnordin, në një sfidë që vlente vetëm për statistikë, me holandezët që kaluan në Ligën e Europës.

Champions League e këtij sezoni pritet të dhurojë spektakël, shumë skuadra në garë, por në fund vetëm njëra prej tyre do mund të marrë trofeun me veshë të mëdhenj.

Lini një Përgjigje