
Atalanta ka siguruar një fitore me peshë në transfertë ndaj Lacios, duke triumfuar 0-2 në stadiumin “Olimpico”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të Serisë A. Suksesi në Romë forcon pozitat e bergamaskëve në garën për një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
Takimi u zhbllokua në minutën e 40-të, kur gjyqtari akordoi penallti për Atalantën pas një prekjeje të topit me dorë nga Daniele Kataldi. Nga pika e bardhë u tregua i saktë braziliani Ederson, i cili kaloi miqtë në avantazh.
Lacio u përpoq të reagonte, por pa arritur të konkretizonte rastet e krijuara gjatë pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Atalanta menaxhoi avantazhin dhe goditi sërish në minutën e 60-të. Nikola Zalevski dyfishoi shifrat, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 0-2.
Me këtë fitore, Atalanta ngjitet në vendin e gjashtë me 42 pikë, duke mbetur në zonën që siguron pjesëmarrjen në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm. Në anën tjetër, Lacio mbetet në vendin e tetë me 33 pikë, duke humbur terren në garën për Europë.
Lini një Përgjigje