
Trajneri i Benfikës, Zhoze Murinjo, ka hedhur poshtë zërat për një interesim të mundshëm nga Reali i Madridit për t’u emëruar në krye të skuadrës për sezonin 2026-2027. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës kundër Famalikaos, tekniku portugez u shpreh i prerë se nuk ka pasur asnjë kontakt nga klubi spanjoll.
“Jo, askush nga Reali i Madridit nuk më ka folur, mund t’ju siguroj. Kam qenë në futboll për shumë vite dhe jam mësuar me këto gjëra, por asgjë nga Reali i Madridit,” deklaroi Murinjo për mediat portugeze.
Ai refuzoi të shprehej më tej mbi spekulimet, duke theksuar se fokusi i tij mbetet te skuadra aktuale dhe detyrimet kontraktuale.
“Nuk mund të them asgjë tjetër. Sa i përket Benfikës, ju tashmë e dini situatën. Kam edhe një vit të mbetur në kontratën time me Benfikën, dhe kaq,” shtoi ai.
Murinjo aktualisht është nën kontratë me Benfikën edhe për një sezon tjetër, çka e bën të paqartë çdo lëvizje të mundshme në të ardhmen. Zërat për interesim nga Reali i Madridit kanë qarkulluar në media, por deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare nga asnjëra palë.
Deklaratat e trajnerit vijnë në prag të sfidës me Famalikaon, një ndeshje e rëndësishme për objektivat e Benfikës në kampionat.
Lini një Përgjigje