
Tirana dhe Partizani janë skuadrat e vetme të Superiores që kanë mbetur në kupat e Europës. Bardheblutë u kualifikuan në turin e dytë të Ligës së Konferencës, pasi mposhtën Dinamo Batumin dhe tani do të gjejnë përballë një kundërshtar gjigant si Beshiktashi. Partizani nga ana tjetër është në të njëjtin raund pasi u mposht në Champions League nga BATE Borisov dhe do të përballen sonte me Atletik D’Eskaldes në Andorra.
Të dy sfidat e para do të luhen në transfertë duke i dhënë pak ‘ajër’ “Air Albania”-s. Sfidat e kthimit do të luhen në Shqipëri, por stadiumi ende nuk është konfirmuar nga UEFA. Sipas të gjitha gjasave pritet të ndodhë më e keqja. ‘Air Albania’ do të mbyllet për të mbjellë barin e ri në mënyrë që të jetë gati për Kombëtaren në shtator.
Në këtë mënyrë Tirana e Partizani mbeten thatë dhe u duhet të udhëtojnë drejt Elbasanit për të zhvilluar ndeshjen e kthimit. Një mundësi e artë për të fituar para nga shitja e biletave e cila humbet nga klubet e kryeqytetit.
Megjithatë ende s’ka asgjë zyrtare, por sipas të gjitha gjasave, Tirana dhe Partizani do ta mbyllin aventurën europiane në ‘Elbasan Arena’.
Lini një Përgjigje