
Kosova është në kërkim të trajnerit që pritet të marrë “timonin” e përfaqësueses “Dardane” pas shkarkimit të sllovenit Primozh Gliha, që drejtoi në disa ndeshje Kosovën pas largimit të Zhires.
Ndërkohë së fundmi mësohet se presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është parë sonte nën shoqërinë e trajnerit spanjoll, Roberto Moreno, duke darkuar në Stamboll.
Kohët e fundit Moreno është emri që flitet se do të jetë në krye të Kosovës dhe ky takim duket se e vërteton këtë teori.
46-vjeçari Moreno së fundmi ka qenë trajner te skuadra e Granadës, ndërsa ka drejtuar edhe Monakon. Ai ka drejtuar disa ndeshje edhe përfaqësuesen e Spanjës, ndërsa ka punuar edhe si asistent te Barcelona, Selta Vigo, Roma dhe disa klube tjera evropiane.
Moreno vlerësohet kandidati kryesor për të drejtuar Kosovën. Në FFK vlerësojnë se spanjolli është i duhuri, ndërsa mbetet të shihet nëse kostoja financiare mund të mbulohet.
Lini një Përgjigje