
Ndeshjet e sotme në javën e dytë të kampionatit iranian të futbollit, kanë parë të pranishëm edhe dy afrimet e fundit atje nga kampionati shqiptar, Jasir Asanin dhe Regi Lushkjen. Asani iu bashkua klubit të Esteghlal, ndërsa Lushkja u transferua nga Egnatia në radhët e klubit të Traktor.
Të dy i nisën ndeshjet nga pankina, por vetëm Asani ishte ai i cili shijoi që sot debutimin e tij në kampionatin iranian. Esteghlal luante në shtëpi ndaj Zob Ahan dhe ishte në disavantazh 1-3 kur trajneri hodhi në fushë sulmuesin shqiptar në fillimin e pjesës së dytë.
Në këtë fraksion loje, vendasit dominuan plotësisht dhe pasi shkurtuan fillimisht diferencën me një aksion që nisi pikërisht nga Asani në të djathtë, kërkuan me ngulm golin e barazimit që e gjetën në minutën e 4 shtesë, duke sigluar në fund një barazim 3-3. Pas dy javësh kampionat, Esteghlal numëron 4 pikë, vendin e 3 në renditje.
Me skuadrën koreane të Guangju, 30-vjeçari kuqezi numëron 81 ndeshje, 27 gola dhe 6 asiste. Aktualisht kartoni i Asanit sipas “Transfermarkt” vlen 1.2 milionë euro.
Po në barazim u mbyll edhe ndeshja e Traktorit në transfertë ndaj Mes Rafsanjan, me Lushkjen i cili nuk u hodh në fushë për të bërë debutimin e tij me këtë skuadër.
Lini një Përgjigje