
Barcelona do të luajë sonte në mbrëmje takimin e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit kundër Realit.
Katalanasit kanë fituar përballjen e parë në Madrid 0-1 dhe shihen si favoritë për të prerë biletën për në finale. Te Barcelona kanë shumë arsye përse duhet të besojnë se ky është rasti i artë për ta. Historia tregon se skuadra e drejtuar nga Çavi Hernandez është shumë e vështirë për t’u përmbysur, pasi të ketë fituar takimin e parë në Kupën e Mbretit. Katalanasit kanë më shumë se 60-vjet, që nuk humbasin një avantazh në favor të tyre me ndeshjen e dytë që luhet në “Camp Nou”.
Konkretisht, ishte në sezonin 1961-1962, kur “blaugranat” eliminoheshin nga Reali i Madridit (1-3), si për ironi, rivali i tyre i sotëm, duke qenë pritës, pasi kishin fituar ndeshjen e parë në Madrid (0-1).
10-vjet– Për Realin e Madridit, Kupa e Mbretit nuk ka qenë një kompeticion i thjeshtë në 10 sezonet e fundit. Për herë të fundit, “Los Blankos” ka përmbysur një takim në këtë kompeticion në sezonin 2012-2013 kundër Selta Vigos. Madrilenët mundeshin në Vigo me shifrat 2-1, por në takimin e kthimit, asokohe Reali i Murinjos përmbyste gjithçka me shifrat 4-0.
Vetëm 2 ndeshje– Reali i Madridit e di se duhet të luajë në “Camp Nou” me detyrimin për të fituar. Çdo rezultat, përveç fitores, do t’i lërë jashtë Kupës dhe ndonëse nuk është hera e parë që “Los Blancos” gjenden në këtë situatë, e vërteta është se sonte në mbrëmje do të përballen me një ekip si Barcelona që nuk pëson gola. Nga 41 ndeshje që Barcelona ka luajtur në këtë sezon, vetëm në dy raste kanë pësuar më shumë se dy gola. Këto dy ndeshje ishin pikërisht kundër të njëjtit rival, Bajernit të Mynihut, në Ligën e Kampioneve, i cili fillimisht me një fitore 3-0 në “Camp Nou” dhe më pas me një fitore 2-0 në “Allianz Arena”.
101 fitore– Barcelona po ndjek edhe një tjetër rekord. Në rast se skuadra e Çavit arrin të fitojë përballë Realit të Madridit sonte në mbrëmje do të arrijë shifrën 101 suksese po aq sa ka Reali përballë tyre.
Lini një Përgjigje