Është zbardhur dëshmia e plotë e modeles Kejvina Kthjella, e cila ka rrëfyer në polici rrethanat se si i ka dorëzuar në mirëbesim 8 mijë euro shoqes së saj të lagjes, Anela Osmani.
Sipas deklarimeve të saj, modelja ka treguar se paratë i kishte kursime personale dhe i ka lënë për ruajtje shoqes, pasi do të largohej për disa ditë nga Tirana drejt Lezhës. Ajo ka shpjeguar se kishte frikë se shuma mund të prekej në banesë gjatë mungesës së saj.
Në dëshminë e dhënë në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, sipas gazetarit Elton Qyno, Kthjella ka sqaruar se më 18 prill 2026 ka dorëzuar paratë në një ambient kafeneje pranë shtëpisë, pasi Anela Osmani i ishte ofruar t’ia ruante deri në kthim. Sipas saj, shuma prej 8 mijë eurosh ishte e vendosur në një çantë dhe përbëhej nga kursime të mbledhura ndër vite.
Modelja ka deklaruar gjithashtu se shoqja e saj ishte në dijeni të ekzistencës së këtyre parave dhe kishte dëgjuar për planet e saj për t’i investuar në një biznes të vogël.
Pas kthimit në Tiranë më 20 prill, Kthjella ka kërkuar kthimin e shumës, por sipas saj është përballur me justifikime të ndryshme, përfshirë pretendime për bllokim të kasafortës dhe probleme personale. Më pas, kur kasaforta është hapur, paratë nuk janë gjetur.
Sipas dosjes, pas disa ditësh janë dhënë edhe versione të tjera nga e dyshuara, përfshirë depozitimin e parave në bankë dhe probleme të ndryshme financiare e shëndetësore.
Nga ana tjetër, Anela Osmani ka deklaruar në polici se i kishte marrë paratë për t’i ruajtur dhe më pas i kishte përdorur për nevoja personale, duke premtuar se do t’i kthente brenda një muaji.
Çështja vijon të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. /Syri.net
Lini një Përgjigje