
Aktori i mirënjohur, Agron Llakaj, ishte mëngjesin e kësaj të enjteje i ftuar në studion e emisionit “Wake Up”, ku ka folur për rolin e tij në filmin “5 Herë Jo”.
Filmi ka si protagonistë çiftin Bora Zemani dhe Donald Veshaj.
Çfarë mund të na thuash për personazhin tënd, të Shefitit?
Shefiti është drejtori i televizionit. Linja kryesore është ajo e dashurisë, mes Jorës dhe Gjergjit, Borës dhe Donaldit. Kjo linjë zhvillohet në një televizion. Shefiti është një lloj babaxhani, shumë familjar, kërkon që t’u japë mundësi të tjerëve që të garojnë dhe të fitojë më i miri. Ka një lloj simpatie ndaj Jorës. Linjat e tjera që e shoqërojnë janë shumë simpatike. Nuk më pëlqejnë vlerësimet me superlativa, por jam i lumtur që Bora dhe Donaldi e kanë kthyer këtë në industri. Nuk është e lehtë të bësh film. Por u impresionova, kishte shumë cilësi, shumë profesionalizëm. U regjistrua në gusht, sepse nuk e kisha mundësinë më përpara, për shkak të angazhimeve të mia. E përqafova me shumë dashuri këtë lloj investimi. Ishte një dëshirë për t’iu gjendur pranë në këtë hap të parë të tyre. Linjat janë të goditura. Shefiti është ai shefi i apasionuar pas motivimit të punës dhe inspirimit.
Si erdhi ftesa për filmin?
Ftesa erdhi më herët. E pata pak të vështirë në fillim për shkak të disa problemeve, ishte një angazhim i madh, por iu drejtova time shoqeje për t’i kërkuar mbështetje. Ishte një sakrificë që mendoj se ia vlente. Edhe Shefiti në film, e mbështet dashurinë e Jorës dhe Gjergjit. Kam punuar mbi skenarin dhe ofrova mendimet e mia.
Çfarë note do t’i jepje Borës dhe Donaldit?
Në përgjithësi kur realizon një projekt duhet ta përqafosh dhe ta urosh në fillim. Pastaj kur të dalë te publiku, ka vend për kritika. Unë i përgëzoj të dy, por më shumë Borën sepse nuk e njihja. Ajo ishte një befasi për mua. Filmi ka dalë i gjatë. Më vjen keq që janë prerë disa pjesë. Vjen ai momenti që të dhemb pak, që nuk u menaxhua mirë pjesa e skenarit dhe kohës. Sepse janë hequr disa pjesë të bukura.
Gjatë intervistës, Llakaj ka folur edhe për mbështetjen e madhe të bashkëshortes së tij, Kostandinës…
“Ne kemi një shprehje: që domatja të rritet, ka nevojë për hurin. Që unë jam ngjitur lart, baza ka qenë Kostandina. Ajo ka rritur fëmijët tanë, sakrifikoi që unë të bëhesha aktor. Nuk jemi çifti i përsosur, kemi pasur dhe zënka. Kemi kaluar stuhi dhe dallgë. I lutem Zotit që ta kem pranë sa më gjatë e të ketë shëndet”, tha aktori i mirënjohur.
Ti je shumë i lidhur me familjen, me fëmijët dhe nipërit e mbesat. A do të doje që ata të ndiqnin rrugën tënde të artit?
“Jam rritur në një familje të madhe, ishim 7 fëmijë. Baza për suksesin është familja. Të ndihesh i rrethuar nga familja, është dhurata më e madhe. Unë nuk u imponoj atyre asgjë. Nëse Zoti ka vendosur që diçka nga unë ta trashëgojë te nipërit dhe mbesat, le të vijë natyrshëm.
Lufta e artistit është që të përsosesh. Është një art që e dashuroj, jetoj me këtë art, jo vetëm ushqehem. Kur kthen kokën mbrapa, sheh një punë të jashtëzakonshme. Arti nuk ka moshë. Shoh që tani ka humbur interesi te libri. Nuk është një e ardhme e shëndoshë e një shoqërie të shëndoshë. Humori ka fuqi. E unë mundohem që të kem kontributin tim te kjo”, tha Llakaj.
Lini një Përgjigje