Një shofer kamioni që transportonte veshje të markës SKIMS, në pronësi të Kim Kardashian, është dënuar nga drejtësia britanike me 13 vite e gjysmë burg, pasi u kap me një sasi të madhe kokaine të fshehur në ngarkesë.
Sipas mediave të huaja, Jakub Jan Konkel, 40 vjeç, u arrestua në shtator 2025 nga autoritetet doganore në Harwich, pasi mbërriti me traget nga Hook of Holland.
Kamioni i tij transportonte 28 paleta me rroba dhe të brendshme të SKIMS, por gjatë kontrollit me skaner me rreze X, autoritetet zbuluan një hapësirë të fshehtë në rimorkio, ku ishin vendosur 90 pako kokainë, secila me nga një kilogram lëndë narkotike.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se ngarkesa ishte e ligjshme dhe nuk ka prova që kompania eksportuese apo importuese të jenë të përfshira në trafikun e drogës. Megjithatë, droga ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar në strukturën e kamionit.
I pandehuri fillimisht mohoi dijeninë për ngarkesën e paligjshme, por më vonë pranoi fajësinë, duke deklaruar se kishte pranuar transportin në këmbim të një pagese prej rreth 4,500 eurosh.
Gjykata e Chelmsford e shpalli fajtor dhe e dënoi me 13 vite e gjysmë burg për trafik narkotikësh.

Lini një Përgjigje