John Travolta ka zbuluar arsyen pas paraqitjes së tij virale me beretë në Festivali i Filmit në Cannes 2026, duke thënë se zgjedhja ishte një homazh për regjisorët klasikë të Hollywood-it.
Aktori dhe regjisori 72-vjeçar, i cili prezantoi debutimin e tij regjisorial me filmin Propeller One-Way Night Coach, tregoi në një intervistë për CNN se ideja për beretën lindi nga dëshira për të mishëruar figurën tradicionale të një regjisori të vjetër kinemaje.
“Regjisorët e dikurshëm mbanin bereta dhe syze. Mendova: kjo është ajo që do të bëj edhe unë,” u shpreh Travolta.
Gjatë festivalit, ai u shfaq në disa dalje publike me bereta të ndryshme, që nga mbërritja në Kanë, deri te tapeti i kuq dhe fotot zyrtare të filmit. Sipas aktorit, çdo detaj ishte menduar për ta bërë këtë moment sa më të veçantë në rrugëtimin e tij artistik.
Travolta udhëtoi drejt Kanës me avionin e tij privat së bashku me vajzën, Ella Bleu Travolta, e cila gjithashtu interpreton në film, duke e kthyer përvojën në një moment të rëndësishëm familjar dhe emocional.
Filmi, i bazuar në librin e tij të vitit 1997, pritet të publikohet globalisht më 29 maj në Apple TV. Travolta e cilësoi këtë projekt dhe çmimin e nderit të marrë në Cannes si ndër përjetimet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke i përshkruar si “artistikisht dhe emocionalisht të paharrueshme”.
Lini një Përgjigje