Viti 2025 ishte i mbrapshtë në aspektin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është vlerësimi i diplomatit danez, Peter Sorensen, i cili nuk pati sukses përgjatë vitit të shkuar, në rolin e caktuar nga Komisioni Europian si ndërmjetës.
Sorensen e nisi detyrën në shkurt të 2025-ës, por në të njëjtin muaj në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta që s’prodhuan institucione, ndërsa në Serbi pati shpërthim protestash. Në këto kushte viti i parë i mandatit 3-vjeçar të Sorensen si emisari europian nuk solli asnjë rezultat.
Por Sorensen shprehet optimist për 2026-ën. Me të përfunduar festat e fundvitit, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, e nisi agjendën me një vizitë në Kosovë. Fillimisht, ai u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që fitoi zgjedhjet e parakohshme, si dhe më pas me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë”, tha Sorensen në një komunikim për gazetarët në Prishtinë.
Takimi i fundit i nivelit të lartë ishte ndërmjetësuar nga ish-kryediplomati Joseph Borrell, para se të ndodhte sulmi i Banjskës.
Shefja e Sorensenit, Kaja Kallas, ende s’ka organizuar një të tillë që kur zëvendësoi Borrellin në krye të diplomacisë, për shkak të mungesës së një kryeministri me mandat të plotë në Kosovë dhe, gjithashtu, parehative në Serbi.
Por, Sorensen u zotua se një i tillë do të mbahet në një kohë të duhur, duke e theksuar se kur një i tillë të thirret, palët do të shkojnë.
“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut, të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”, tha ai.
Pas heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës me transferin e qetë të pushtetit që ndodhi në katër komunat veriore të vendit, si dhe me zotimet e Bashkimit Europian për kthim të shtuar të vëmendjes ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë rritur pritshmëritë që Kosova të bëjë hapa më konkretë drejt procesit integrues në BE.
Sorensen bashkë me Kallas janë përballë një presioni që procesin, edhe ashtu shumë të kritikuar, ta vënë në lëvizje për të prodhuar rezultate më të prekshme.
As Kosova dhe as Serbia nuk kanë bërë progres në zbatimin e kësaj marrëveshje që nga viti 2023.
Radio Evropa e Lirë në Pragë para disa ditësh raportoi se pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe se besohet se Kaja Kallas do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.
“Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment”, raportoi REL.
Gjithashtu, u tha se ekziston mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Europian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.
Por, kjo do të jetë veçanërisht problematike për Kosovën meqë këtë gjashtëmujor të parë të vitit në krye të Presidencës së BE-së është Qipro, një shtet që nuk e njeh ende Kosovën brenda bllokut.
Sidoqoftë, Qiproja do të pasohet nga Irlanda, e cila shihet si më e favorshme për Kosovën, duke marrë parasysh edhe zotimin e saj për angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor.
Lini një Përgjigje