TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Janar 2025, 09:50

Veriu 'minë me sahat', NATO kërkon shtimin e trupave në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Incidentet në veri të Kosovës janë kambanë alarmi për komunitetin ndërkombëtar sa i përket seriozitetit të sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor thuhet në raport.

Veriu 'minë me sahat', NATO kërkon shtimin e trupave në
Kreu i NATO-s, Mark Rutte

Rreziqe të shumta paralajmërohen në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë nëse nuk ka angazhim të shtuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, thuhet në një raport të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmendet si çështja më sfiduese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Autori i këtij dokumenti, lordi nga Britania e Madhe, Mark Lancaster, thekson shkaqet dhe shtytësit aktualë të sfidave kryesore të sigurisë.

Për këtë, ai i ka bërë thirrje NATO-s dhe BE-së që të ushtrojnë presion mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.

“Viti 2023 dëshmoi një rikthim të konsiderueshëm të konfrontimeve të dhunshme në veri të Kosovës. Incidentet i ranë si një kambanë alarmi komunitetit ndërkombëtar për seriozitetin e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor. Në rajonin ku pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret janë në kërkim të një të ardhmeje euroatlantike, çështjet e pazgjidhura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë duhet të ripërqendrojnë vëmendjen e rëndësishme të aleatëve: Aleatët duhet të pajtohen me potencialin për destabilizim më të gjerë që paraqesin këto sfida”, shkruan në raportin me titull: “Ballkani Perëndimor: Sfidat e përgjithshme të sigurisë në pragun e NATO-s”.

Mungesa e hapave drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, konsiderohet si çështja më sfiduese dhe më e paqëndrueshme e rajonit.

“Ajo ka shumë ndikime të menjëhershme domethënëse: i pengon të dyja vendet të avancojnë proceset e tyre të anëtarësimit në BE, është një faktor i rëndësishëm në jostabilitetin rajonal, një pengesë për bashkëpunimin ekonomik rajonal më të ngushtë dhe më efektiv dhe një kontribuues në vakumet e pushtetit që krijojnë mundësi për rrjetet kriminale për të shfrytëzuar rajonin si rrugë, arenë dhe zonë për trafikun e armëve, drogës dhe njerëzve”, thuhet në raport.

Sipas dokumentit, në thelb të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi janë dy çështje kryesore: mosnjohja e Kosovës nga Serbia si dhe qasja e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore të populluara kryesisht me serbë.

Duke iu referuar rreziqeve, po ashtu rekomandohet që NATO-ja ta konsiderojë shtimin e trupave edhe në Bosnjë-Hercegovinë.

“Prania e forcave të NATO-s në Kosovë mund të përforcohet akoma duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në terren e rajon: Aleatët dhe BE-ja mund të punojnë së bashku për të siguruar forca më të përshtatshme për qëllimet e tyre në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Vëmendja e aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – prioritet kanë potencialisht më shumë forca, të pozicionuara siç duhet. Operimi i KFOR-it ka një rol të rëndësishëm, që shtrihet përtej frenimit të dhunës, pasi shërben gjithashtu si një kanal për kontakt pozitiv dhe ndërtim besimi me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi”, shkruan në raport./ Pamfleti

asambleja e nato-s kosovë

Lini një Përgjigje