Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që i kërkon Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vitit 2016, për tokën e Manastirit të Deçanit, është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I gjendur në Prishtinë për një vizitë zyrtare, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka reaguar pas takimit që ka zhvilluar me Presidenten Vjosa Osmani.
Gjithashtu Escobar tha se SHBA-të janë tepër të sheqtësuara për sulmin në Banjskë dhe apeloi ndaj Serbisë që të çojë përpara përgjegjësisë personat e përfshirë.
“Dëshiroj të përmend se sa është i rëndësishëm vendimi i sotëm për manastirin ishte hap i vështirë por i domosdoshëm dhe i falenderoj institucionet e Kosovës për këtë hap. Jemi tepër të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit dhe presim Serbinë që kush ka qenë përgjegjës të japë llogari të plotë”, tha Escobar.
I dërguari i DASH për Ballkanin bëri thirrje që palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe dialogon në mënyrë që të arrihet marrëveshja historike.
“Që të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur një marrëveshje historike. Prandaj ftojmë dhe Serbinë që të zbatojë marrëveshjet, pasi nuk është një përpjekje unilaterale, ku vetëm Kosova të marrë ato vendime të zorshme dhe të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, tha Escobar.
Më herët gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe pse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi, ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duhet ta zbatojë atë.
Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar të regjistrojnë 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses është vendimtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj këtij vendimi, por se në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës "do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur".
Lini një Përgjigje