TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Mars 2024, 11:21

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi dhe lufta hibride e boshtit Moskë-Beograd

Shkruar nga Dr Gurakuç Kuçi
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi dhe lufta hibride e boshtit
Tubime serbe në Podgoricë /

Kthesa Pro-Ruse dhe Pro-Serbe në Mali i Zi dhe Sfidat e Orientimit
Gjeopolitik

  Regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi, mund të sjellë dëme
serioze për këtë vend. Mospublikimi i rezultateve të plota si ajo për
çështjen e etnisë, gjuhës dhe religjionit, ngrit dyshimet se aktiviteti
i Serbisë dhe Rusisë ka arritur që ta prish balancën etnike duke e
rritur artificialisht etninë serbe nëpërmjet nxitjes së malazezëve që të
deklarohen si serbë.

Kjo çështje është pjesë e një kauze të fuqishme të rikthimit të ndikimit
të Rusisë dhe Serbisë në këtë vend i cili i ofron dalje në ujëra të
ngrohta, gjegjësisht në Detin Adriatik. Censusi i fundit përveç
parregullsive që pati gjatë mbajtjes së tij, pati edhe një fushatë të
egër serbe nëpërmjet Kishës Serbe e cila bënte thirrje për deklarim nga
malazezë në serbë dhe thirrje tjera nëpërmjet fushatave individuale dhe
fushatave me billborde.

Rezultatet e censusit mund të sjellin ndryshime serioze në strukturën
shtetërore të Malit të Zi. Hulumtimi i Institutit OCTOPUS gjen se janë
pesë opsione në rast se lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë ka sukses
kundër Malit të Zi.
1.      Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
2.      Federalizimi sikur i Bosnje dhe Hercegovinës.
3.      Asociacion i komunave me shumicë serbe sikur ai që propozohet në
Kosovë.
4.      Referendum që i mundëson secesionim të disa komunave apo rikthim nën
Serbi.
5.      Ndryshimi i rrethanave gjeopolitike dhe raporti i forcave ku sjell
një aneksimi potencial nga Serbia potencial nga Serbia.

Deri në realizimin e këtyre opsioneve Rusia dhe Serbia kanë përdorur
shumë metoda të luftës hibride që i kemi identifikuar më poshtë:
-       kërcënimet me jetë si metodë e indimidimit rasjet politike, siç ishte 
tentimi i vrasjes së Gjukanoviçit për ndryshimin e qasjes së Malit të Zi
dhe ndalimin e anëtarësimit të saj në NATO.
-       partitë politike, duke përkrahur subjekte të ndryshme, kryesisht të
krahut të djathtë ekstrem dhe duke shfrytëzuar brishtësinë e demokracisë
për të legalizuar çështjen etnike të tyre.
-       zgjedhjet elektorale, duke krijuar sa më shumë subjekte të cilat
pastaj arrijnë të copëzojnë votat e partive të mëdha që nuk janë pro
interesave ruse dhe serbe.
-       ndikimi nëpërmjet propagandave të ndryshime si ato që ishin para
censusit që janë të përmendura në punim.
-       ndikimi i ndryshimit të deklarimit të shoqërisë për çështje etnike, në
rastin konkret deklarimi nga malazez në serb, inxhinieringut etnik.
-       përdorimi i mediave televizive, të shkruara dhe rrjeteve sociale për
të shpërndarë propagandë, agjitacion dhe dezinformim.

Mësimet për Kosovën në censusin e saj

Kosova me datën 1 prill të këtij viti pret që ta mbaj censusin apo
regjistrimin e popullsisë. Instituti OCTOPUS duke marrë në konsideratë
përvojën e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e mundshme të palëve të treta si
Rusia dhe Serbia, Kosova duhet të analizojë me kujdes çdo aspekt të
procesit të censusit, duke përfshirë teknikat e regjistrimit, sigurinë e
të dhënave dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve. Është thelbësore të
ndërmerren masa për shmangien e ndërhyrjeve të mundshme nga faktorë të
jashtëm, duke shtuar aktivitetin diplomatik në qendrat e vendimmarrjes
dhe duke përforcuar rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Të gjitha konkluzionet më lartë kanë një histori të bujshme politike dhe
strategjike. Ju inkurajojmë që të lexoni komplet punimin për ta kuptuar
më mirë gjithë procesin duke klikuar mbi titullin: Rreziqet dhe
Rikonfigurimet Gjeopolitike: Serbia dhe Sfida për Stabilitetin e Malit
të Zi.

Kthesa Pro-Ruse dhe Pro-Serbe në Mali i Zi dhe Sfidat e Orientimit
Gjeopolitik
Mali i Zi rrugëtimin e vet pro-perëndimor mund ta konsiderojmë që e ka
filluar në vitin 1995, menjëherë pas marrëveshjes së Dejtonit. Në atë
vit Millo Gjukanoviç bashkë me Svetozvar Maroviç vizituan Pentagonin në
SHBA, ku ofruan qasje për trupat paqeruajtëse ndërkombëtare në Portin e
Barit. Gjatë bombardimeve të NATO-së, Gjukanoviç kishte arritur të
bindte NATO-në të kufizonte bombardimet në territorin malazias.
Mali i Zi e shpalli pavarësinë e saj me 2006 pas një referendumi ku
pjesë e rëndësishme ishin edhe shqiptarët. Vuçiq në atë kohë kishte
deklaruar se do të angazhoheshin për ta rikthyer prapë Malin e Zi pas
10-20 vitesh. Angazhimi i Serbisë ka qenë në bashkëpunim të plotë me
Rusinë, pasi përveç interesave të zgjerimit të territorit dhe interesave
sllavo-ortodokse, interes të rëndësishëm strategjik përbën edhe dalja në
ujëra të ngrohta, gjegjësisht në Detin Adriatik. Me 2013 dhe 2015 Rusia
kishte kërkuar nga Mali i Zi që t’i jepte Portin e Bar-it për ndërtimin
e një baze ushtarake, por që ishte refuzuar nga Mali i Zi duke dërguar
në tensionim marrëdhëniesh deri sa me 2017 ishte provuar një grusht
shtet duke dashur ta vrasin Millo Gjukanoviçin gjatë zgjedhjeve. Ky
tentim atentat ishte zbuluar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe
kishte informuar organet e sigurisë së Malit të Zi, ku për pasojë ishin
arrestuar rreth 20 persona duke përfshi edhe ish-oficerë të
xhandarmërisë serbe.
E gjithë kjo sipas prokurorit të rastit ishte me qëllime politike për ta
ndryshuar pushtetin në Mal të Zi dhe ta ndaloj anëtarësimin e këtij
vendi në NATO.
Gjërat në Mal të Zi prapë filluan të lëvizin drejt orientimit pro-serb
dhe pro-rus pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku humbi partia e Gjukanoviçit
dhe zgjedhjet i fitoi një grupacion i partive politike kryesisht me
orientim pro-rus dhe pro-serb. Qeveria e dalë nga këto zgjedhje me në
krye Zdravko Krivokapiç nuk zgjati më shumë se 14 muaj për t’ia lëshuar
vendin qeverisë së Dritan Abazoviçit. Ky i fundi me aq bujë sa u bë
kryeministër, me po të njëjtën dramë udhëhoqi shkurtazi dhe u rrëzua po
ashtu nga pushteti, Kjo për arsye se bëri marrëveshje me Kishën
Ortodokse Serbe të cilës i ofronte eksterritorialitet dhe shumë benifite
tjera dhe Kuvendi vendosi mocion votë-besimi ndaj tij.
Sipas një hulumtimi të gazetës Pobjeda, gjatë mandatit të Abazoviçit
ishin ndryshuar policët kufitarë duke u zëvendësuar me joprofesionistë
dhe lojal partiakë gjë që e kishte bërë jofunksional kufirin me Bosnjë
dhe Hercegovinën.
As zgjedhjet e vitit 2023 nuk prodhuan diçka më ndryshe veçse forcim të
partive pro-ruse dhe pro-serbe, duke sjellë në pushtet në tri pozitat më
të larta dhe pozita tjera njerëz që kanë orientime pro-serbe dhe
pro-ruse ku argumentimet më gjerësisht i gjeni në punim.
Duke përfshirë ndryshimet politike dhe censusin e fundit, ku kishte
qëllime inxhinieringut etnik, çështjen se Serbia është pa dalje në det
dhe kjo dalje është e rëndësishme për Serbinë dhe Rusinë atëherë pas
rezultateve të censusit, pa një reagim adekuat ndaj Serbisë dhe Rusisë
nga aleatët perëndimor opsionet për Malin e Zi mund të jenë ogurzeza.
Kjo pasi mund të krijohet një krizë e re artificiale e gërryerjes nga
brenda të institucioneve, zgjedhje të reja nën parullat për ndaljen e
rikthimit të nacionalistëve në pushtet, secesion nëpërmjet referendumit
të disa komunave si Pljevelija, Nikshiqi dhe Berana, pastaj gjitha këto
veprime mundësohen nga bllokimet që mund t’i bëjë Andrija Mandiç nga
pozita e kryeparlamentarit dhe anëtarit në Këshillin e Sigurisë dhe
Mbrojtjes që mban Komandën e Forcave të Armatosura ku vendimet merren me
unanimitet.
Opsioni i fundit mbetet ai i një invazioni klasik në ndryshimin e
rrethanave gjeopolitike dhe raportit të forcave globale.

*Dr. Gurakuç Kuçi është ulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride
“OCTOPUS”

regjistrimi i popullsisë mali i zi moskë-beograd lufta hibride gurakuç kuçi

Lini një Përgjigje