TAGS-AT E JAVËS

Kosova12 Mars 2024, 07:40

Sulmi në Banjskë, DASH: Radoiçiç është krimineli, autori të dënohet!

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi në Banjskë, DASH: Radoiçiç është

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve në media për takimin mes Marko Gjuriç, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

"Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës", thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas DASH, Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriç, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriç dhe Radoiçiç shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori apo nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriç ishte ambasador i Serbisë në SHBA. 

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriçit dhe Radoiçiçit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

"Unë nuk e pyeta Marko Gjuriçin kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiçin, për t'u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiç.

Bashkimi Evropian tha më herët se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se "me kë takoheni flet për ju.

"Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale", tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë, pjesa veriore e Kosovës. Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.

Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t'u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë./REL

Lini një Përgjigje