
Gazetarët që po i përcjellin nga afër ngjarjet në veri të vendit janë sulmuar në Leposaviç. Gazetarët janë sulmuar me gurë, vezë e shishe, kryesisht nga personat e maskuar.
Tensionimi i situatës nisi papritur, ndërsa forcat e KFOR-it po vijojnë të qëndrojnë në afërsi të objektit të komunës.
Personat e maskuar ishin të pranishëm edhe dje në protestat në komunat veriore. Në Zveçan, kur nisi përplasja me KFOR-in, ata dolën në rend të parë, duke i sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s me mjete plasëse si shok-bomba e koktej molotovi.
Pas një dite të zjarrtë përleshjesh të dhunshme, me pasojë plagosjen e të paktën 30 ushtarëve të KFOR e disa protestueseve, manifestimet vijojnë edhe sot në komunat me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Megjithatë, në komunën e Zvecanit, prej nga erdhën edhe skenat e dhunës kundër policisë dhe trupave të KFOR, situata është e qetë, dhe protestuesit janë më të paktë në numër. Ndërtesa e komunës vijon të ruhet nga trupat paqeruajtëse.
“Situata mbetet e brishtë pore qetë”, vlerëson policia e Kosovës e cila fton qytetarët të mos bien pre e thirrjeve për protesta të dhunshme dhe provokime. Sipas Policisë, protestues, individë “dhe grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”.
Lini një Përgjigje