Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi në qverinë e Hashim Thaçit, Edita Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve të ditës së hënë në veri.
Ajo tha se dhuna në veri e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe njerëzve të tij ka një skenar.
Sipas Tahirit, synimi i Vuçiç janë Trepça dhe Ujmani.
“Skenari i tij është që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin në veri”, tha ajo.
Ish-negociatorja theksoi se Serbia vazhdimisht ka pasur tendenca ndaj këtyre dy resurseve të Kosovës.
“Gjatë shtatë viteve të negociatave në Bruksel, kur isha kryenegociatore, Serbia ka shfaqur vazhdimisht tendenca ndaj këtyre pasurive strategjike dhe gjeopolitike të Kosovës, por nuk i kam lënë ta hapin gojën!”, theksoi Tahiri.
Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar selitë komunale që herët këtë mëngjes.
Qindra serbë janë grumbulluar sërish në sheshet përpara godinave të komunave, aty ku një ditë më parë pati dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të KFOR, ku të paktën 25 prej tyre mbetën të lënduar.
Në Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviç, e marta shënon ditën e tretë të protestave që duket se nuk do të ndalen pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci deklaroi në orët e para të mëngjesit se do të shkojë në zyrë për të vijuar punën e tij, i ndihmuar dhe nga trupat e KFOR.
Lini një Përgjigje