
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur pas takimit me krerët e partive politike, të thirrur nga vetë ai për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Ky takim përfundoi pa asnjë marrëveshje apo lëvizje konkrete drejt zgjidhjes së krizës politike. Takimi u mbajt pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyron deputetët të përfundojnë procesin e konstituimit deri më 26 korrik. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit nga radhët e opozitës e konsideruan takimin si të pasuksesshëm.
Kurti tha se takimi ishte i mirë ku sipas tij u qartësuan shumë gjëra. Kurti u shpreh se fitoi zgjedhjet në 9 shkurt, ndërsa shtoi se populli kishte kërkuar që të ndërrohet opozita. Kryeministri Kurti akuzon LDK dhe PDK se nuk dua kompromis.
"Unë kam marrë shumicën më të madhe të parlamentarizimit në Kosovë. Takimi ishte i mirë u qartësuan disa gjëra mes nesh. Nga ana tjetër lëshuam, por s'duan kompromis. LDK dhe PDK janë duke e parë gabim atë që ka thënë Kushtetuesja. Nuk jemi ne bllokues, ofruam kompromis”, tha Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se pavarësisht vullnetit të tyre për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit, rezultati i takimit ishte zhgënjyes. Ai e quajti takimin një "aktrim politik".
“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht, droja jonë u vërtetua. Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje. Kurti tregoi papërgjegjshmëri”, u shpreh Abdixhiku.
Në një linjë të ngjashme ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili tha se takimi ishte një "farsë politike", duke akuzuar Kurtin për mungesë sinqeriteti dhe përpjekjeje reale për të arritur konsensus.
“Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar për shkak të mungesës së marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. Pika më e nxehtë e mosmarrëveshjes mbetet propozimi i Vetëvendosjes për të kaluar nga votimi i hapur në të fshehtë – një kërkesë që është kundërshtuar nga partitë opozitare dhe që është vlerësuar nga shumë si jokushtetuese.
Pas aktvendimit të fundit, partitë politike e kanë interpretuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mënyra të ndryshme.
Lini një Përgjigje