
LVV-ja propozon që subjektet politike të bien dakord për emrat e anëtarëve të kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentarin dhe nënkryetarët, si një paketë e vetme.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, do të paraqesë tri propozime në takimin e planifikuar për të shtunën, më 28 qershor 2025, në orën 16:00, me qëllim zgjidhjen e bllokadës politike në Kuvendin e Kosovës. Takimi vjen pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për bashkëpunim në mirëbesim mes deputetëve për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe formimin e kryesisë së Kuvendit.
Që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli si partia fituese, Kuvendi i Kosovës ka hasur në vështirësi për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe për të formuar kryesinë e re. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar se partia fituese ka të drejtën e propozimit të kryeparlamentarit, por kjo kërkon konsensus dhe kompromis mes partive të përfaqësuara në Kuvend.
Për të adresuar këtë situatë, LVV-ja ka thirrur një takim me liderët e partive politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën Socialdemokrate, të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
-Propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje
Dakordimi për kryesinë e Kuvendit në pako: LVV-ja propozon që subjektet politike të bien dakord për emrat e anëtarëve të kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentarin dhe nënkryetarët, si një paketë e vetme. Sipas burimeve brenda partisë, ky propozim synon të shmangë kushtëzimet e ndërsjella dhe është në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konsensus dhe kompromis.
Formimi i Komisionit për votimin e fshehtë: Propozimi i dytë i LVV-së është krijimi i një komisioni që do të organizojë dhe mbikëqyrë procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga liderët e partive do të kërkohet të votojnë pro ose kundër formimit të këtij komisioni.
Mbështetja për votimin e fshehtë dhe alternativa për kryeparlamentarin: Propozimi i tretë fokusohet në mbështetjen e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. LVV-ja ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por deri më tani nuk ka marrë zotime nga partitë opozitare për ta përkrahur atë. Për të krijuar besim, LVV-ja është zotuar se do të ndryshojë kandidatin nëse Haxhiu nuk zgjidhet në tentativën e parë.
Deri më tani partitë opozitare (PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate) nuk kanë dhënë përgjigje nëse do të paraqesin propozime të reja gjatë takimit. Ndërkohë, LVV-ja po përpiqet të bindë këto subjekte për të arritur një konsensus që do të mundësojë funksionimin e Kuvendit dhe zgjidhjen e ngërçit politik.
Magjithatë, takimi i së shtunës shihet si një mundësi kyçe për të kapërcyer bllokadën politike dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve të Kosovës pas 38 seancave të dështuara./Pamfleti
Lini një Përgjigje