
Vendimi vjen pas një ngërçi të zgjatur politik që ka lënë Kosovën pa institucione të reja që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojnë seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare jo më vonë se 30 ditë, duke zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit. Vendimi vjen pas një ngërçi të zgjatur politik që ka lënë Kosovën pa institucione të reja që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
"1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij", thuhet në njoftimin e Kushtetuese.
Seanca konstituive, e cila ka nisur më 15 prill, ka shënuar deri tani 37 dështime të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ky proces ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike rreth kandidaturës së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, për postin e kryetares së Kuvendit. Partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listën Serbe, e konsiderojnë Haxhiun një figurë përçarëse dhe kanë refuzuar të propozojnë anëtarë për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke bllokuar kështu procesin.
Kjo çështje është komplikuar më tej nga debati mbi kushtetutshmërinë e kalimit nga votimi i hapur në votim të fshehtë, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pas një kërkese të dorëzuar më 12 maj 2025 nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e mbështetur nga 11 deputetë të tjerë të opozitës.
Ekspertët ligjorë, si ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, dhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, kanë kritikuar partitë politike për keqpërdorimin e boshllëqeve ligjore në Kushtetutë, e cila nuk përcakton një afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit. Sipas tyre, mungesa e kompromisit politik dhe këmbëngulja e LVV-së për të mbajtur Haxhiun si kandidate ka thelluar krizën institucionale, duke dëmtuar besueshmërinë e institucioneve dhe përparimin e Kosovës drejt agjendës euroatlantike.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për dialog mes partive për të zgjidhur ngërçin, por deri më tani përpjekjet e saj nuk kanë dhënë rezultat. Ndërkohë, disa politikanë kanë përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare së bashku me ato lokale në tetor, por kjo shihet si një zgjidhje joefektive nga disa ekspertë.
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se po e shqyrton çështjen me prioritet, dhe vendimi i saj pritet të japë qartësi mbi procedurat dhe afatet për konstituimin e Kuvendit, me shpresën për të zhbllokuar krizën politike që ka paralizuar institucionet e Kosovës për gati pesë muaj.
Lini një Përgjigje