TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Qershor 2025, 07:34

A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi politik? Sot seanca e 36-të për konstituimin e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi

Për të 36-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në seancën e 34-të (21 qershor), sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.

Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.

Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. LDK-ja, që doli e treta në zgjedhje - ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Propozimi është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë - pra, duke përjashtuar LVV-në.

Megjithatë, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Deputetët fillimisht duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët - për të cilët kërkohen 61 vota - në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.

Lini një Përgjigje