
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shtuar presionin ndaj Kosovës sa i takon dialogut me Serbinë.
Ai është shprehur se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, duhet të nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje [e arritur në Ohër] të bëhet realitet. Ky realitet bëhet me Asociacionin. Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë që të ecim përpara me këtë”, tha Escobar gjatë një konference për media, të mbajtur online.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së tha gjithashtu se puna për themelimin e Asociacionit ka nisur, por shtoi se procesi i negocimit do të vazhdojë derisa të arrihet në një model që dakordësohet nga të dyja palët.
Escobar theksoi se pret të ketë një takim mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç brenda dy javëve për të diskutuar lidhur me këtë proces.
“Ky proces është shumë e rëndësishme që të dyja palët, veçanërisht Kosova, që ta marrin seriozisht këtë proces dhe të lëvizin në mënyrë të përshpejtuar për ta përfunduar atë”, shtoi ai.
I pyetur nëse Serbia e shkeli marrëveshjen kur votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar tha se nuk është i sigurt për këtë gjë.
“Nuk jam i sigurt nëse ishte shkelje. Kjo varet nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes. Procesi i implementimit nuk ishte vendosur në atë kohë kur u bë votimi, nuk e di nëse Serbia ishte e detyruar të mos e bllokonte”, tha Escobar.
Komentet e Escobar vijnë një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bashkë me ndërmjetësuesit evropianë, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell.
Pas përfundimit të takimit, Borrell tha se palët shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Draft-statuti për formimin e Asociacionit, i prezantuar nga ekipi menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, u kundërshtua nga Kurti.
Lideri i Kosovës tha se qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut, teksa propozoi një draft-vizion të tij.
Ndërkohë Vuçiç, në anën tjetër, tha se Kosova ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, tha se ai kishte pritur që të ketë qëndrime të ndryshme nga dy palët për natyrën e Asociacionit, por shtoi se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.
Lini një Përgjigje