
Nuk ka dakordësi mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç për Asociacionin. Sot u zhvillua takimi i radhës në Bruksel mes dy liderëve dhe palët kanë arritur akordin vetëm për personat e zhdukur, por jo për pozicionin e pakicës serbe në Veri.
Në takimin që zgjati afro 3 orë, palët miratuan propozimin e BE sa i takon të zhdukurve. Sipas deklaratës së BE-së, puna do të mbikëqyret nga një Komisioni i Përbashkët që do të ketë kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq. Gjithashtu, është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukuruve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Më pas u prezantua drafti për Asociacionin. Ekipi Menaxhues - i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë, paraqiti draft-statutin në tryezën e dialogut. Danijella Vujiçiç, pjesë e ekipit, tha se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj - nga prilli 2018 deri në gusht 2018. Sipas saj, ka 9 kapituj dhe 67 nene.
Por duket se këtu palët janë ndarë. Pas takimit ishte Josep Borrel ai i cili dha detaje mbi rezultatet e tryezës. “Palët morën një hap të rëndësishëm simbolik drejt themelimit të Asociacionit të dakorduar 10 vjet më parë. Ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës më në fund prezantuan për palët draftin e parë, nuk është i fundit. Është pikë filluese. Është në vijë me nenin 7 të marrëveshjes së re. Prezantimi i draftit e bën pjesë të rëndësishme takimin. E përshëndes faktin që drafti është ofruar. Kurti ndau mendimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë, e siç pritet pikëpamjet e palëve janë dukshëm larg në natyrën se si duhet të jetë Asociacioni. Nuk prisja diçka tjetër, e dija që palët kanë mendim të ndryshëm për natyrën e Asociacionit. Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, janë pajtuar të fillojnë negociatat për Asociacionin në të ardhmen e afërt. Duke marrë këtë draftin e parë si hapin e parë të diskutimit. U bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive e frymë të mirë, të jenë të gatshëm për kompromis”, tha ai.
Ndërkohë vetë Vuçiç akuzoi Albin Kurtin se ishte ai që refuzoi Asociacionin. “Është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë zotimin e saj të 10 viteve më parë. Është e qartë për mua dhe e kam ditur, por sot u ndodhëm për herë të parë para një muri. Dhe ishte e qartë që nga momenti kur u prezantua drafti, pasi u përpoqën të poshtërojnë dy gra. Edhe pse në të gjitha nenet e draft statutit, ka një referencë të qartë për nenet e dakorduara më parë, nuk ka asnjë pikë në të cilën është përmendur diçka që ende nuk është nënshkruar”, tha presidenti Vuçiç pas takimit.
Kur vjen fjala për situatën pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, BE-ja doli me propozimin e saj. “Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme ta tejkalojmë atë situatë”, ka theksuar Vuçiç.
“Shpresoj që në raundin e ardhshëm të ketë një reagim të disa të tjerëve që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla. Nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha presidenti Vuçiç.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se draft-statuti i prezantuar sot në Bruksel, ka qenë i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës. Kurti u shpreh se ka propozuar një draft të cilin ai e ka quajtur “draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
“Në këtë takim pas marrëveshjes për të pagjeturit, ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pas dhamë qëndrimi tonë se një draft i tillë çfarë dëgjuam e lexuam është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj ne do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Me këtë rast unë propozova një draft vizion si kryeministër përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Gjithsej në 10+1 pika kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, tha ai.
Lini një Përgjigje