TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Shtator 2023, 07:55

Situata me Serbinë, Vjosa Osmani takon sot në Bruksel kreun e NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
Situata me Serbinë, Vjosa Osmani takon sot në Bruksel kreun e NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me kreun e NATOS-s, Jens Stoltenberg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATOS-s, Jens Stoltenberg.

Pas përfundimit të takimit, presidentja Osmani dhe sekretari Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat. Presidenca e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe do të realizojë takime me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

 “Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë Komandanti i trupave të udhëhequra nga NATO-ja, KFOR, Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se ndonëse situata e sigurisë në Kosovë është e qetë që nga tensionet e ngritura në maj, ajo mbetet shumë e paqëndrueshme.

Gjeneralmajori italian ka thënë se për shkak të mosmarrëveshjeve politike, tensioni midis palëve ka mbetur i lartë.

"Situata është e qetë pas ngjarjeve të 29 majit. Por, në një farë mënyre, situata është ende shumë e paqëndrueshme. Ne e perceptojmë tensionin - tensionin për shkak të morisë së çështjeve të pazgjidhura. Nëse duhet të bëjmë një diagnozë të asaj që po ndodh, do të thosha se sëmundja më shqetësuese është mosbesimi midis palëve. Kjo do të thotë se nuk ka një zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e vetme është një zgjidhje politike”, ka thënë ai para gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel, raportoi Reuters.

Sipas NATO-s, më shumë se 90 ushtarë paqeruajtës janë lënduar në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës.

bruksel vjosa omani nato

Lini një Përgjigje