
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.
“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.
Ai tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa mbrëmjen e së hënës ka zhvilluar një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksadër Vuçiç, dhe i ka ftuar që të “qetësojnë menjëherë situatën dhe pa kushte”.
“Çdo hap tjetër i njëanshëm duhet të shmanget. Si hap i parë, pres nga Kosova të pezullojë operacionet policore të lidhura me ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të ndalen. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar me dy liderët” që të ndalen protestat, tha Borrell.
Ndërkohë në komunën e Leposaviçit raportohet se situata është tensionuar në minutat e fundit. Gazetarët janë sulmuar nga persona të maskuar.
Gazetarët kanë qenë duke raportuar për ngjarjen ku janë sulmuar në mënyrë të papritur. Në drejtim të tyre janë hedhur gurë, vezë dhe shishe nga persona të maskuar që është e vështirë t’i identifikosh.
Ndërkohë forcat e KFOR-it janë duke qëndruar në gatishmëri rreth godinës së komunës.
Lini një Përgjigje