
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri, përkundër takimit të djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Megjithatë ai tha se shtensionimi i situatës në veri duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë, ambasadori amerikan para gazetarëve theksoi nevojën edhe të zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë. Ndërkaq, shtoi se ShBA-të nuk mund të thonë më shumë se çka ka thënë KFOR-i për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës.
Hovenier ka thënë gjithashtu se SHBA-ja dëshiron që Kosova t’i arrijë qëllimet e veta e se e mbështet një Kosovë demokratike dhe sovrane.
“Do të thoja që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.
Ai është pyetur nga gazetarët edhe rreth publikimit të disa përgjimeve ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiç i Listës Serbe, ndërsa përmendet edhe Milan Radojiçiç.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiç ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-ve”, tha ai.
Lini një Përgjigje