Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg teksa ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, është shprehur është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti serb Vuçiç ka thënë më 6 korrik se do të kërkojë takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”, tha Stoltenberg.
Duke folur në konferencën për media para fillimit të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.
“NATO është aty për të garantuar siguri dhe stabilitet për popullin e Kosovës. Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”, tha ai.
Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s janë mbledhur në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Lini një Përgjigje