Lufta e re e Ftohtë po shkakton përplasje mes fuqive rajonale për sferat e tyre të interesit. Në këtë kuadër, Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës, vetëm duke ecur drejt krijimit të Federatës Shqiptare si mburoja e interesit nacional, do të sigurojnë stabilitetin dhe prosperitetin tonë si Komb.
Rikthimi i gjeopolitikës po ndodh tok me Luftën e re të Ftohtë që po karakterizohet nga shpërthimet në zona të “nxehta” të tipit të luftrave me prokurë [rasti i Ukrainës, asaj në Lindjen e Meme – Gazë], tensioneve të ndezura në zona tjera [Ballkan, Azi Perëndimore, Iran…], mospërfilljeve të normave ndërkombëtare, rikthimit të plotë në garën për armë në plan të gjerë, me theks midis SHBA-së nga njëra anë dhe fuqive të mëdha si Kina dhe Koreja e Veriut për Indo-Paqësorin dhe Rusinë e Euroazinë nga ana tjetër…
Pretendimi i Rusisë së Putinit se brenda pak ditësh, eventualisht javësh, do ta rikthente Ukrainën në tërësi brenda spektrit të saj, në përputhje me interesat gjeopolitike ruse, nuk e kishte parasysh gadishmërinë e SHBA-ve për ta tërhequr Rusinë në një luftë-kurth të gjatë, që do ta arsyetonte zhytjen e saj në garën e re për armatim dhe përballje afatgjatë me Europën Perendimore.
Në procesin e rikthimit gjeopolitik kishte nevojë urgjente që të shpërthente lufta në Ukrainë, me qëllim që të ndalet marshi rus drejt Euroazisë.
Përmbyllja e Luftës së Ftohtë me fitoren e demokracive liberale përballë socializmit të tipit rus, sado që kishte krijuar entuziazmin mbi “fundin e historisë”, respektivisht promovimin jo pa bujë të unipolaritetit që për gadi tri dekada do të drejtohej nga SHBA-të, në esencë kishte shpërfaqur edhe një zonë të madhe gri.
Në këtë zonë “shtetet kaluan nga politika e jashtme pro-SHBA-ve ose politika e jashtme e qartë anti-SHBA-ve, qoftë edhe e kufizuar, në një politikë të jashtme më të pavarur.”
Në këtë kapërcyell të rikthimit të gjeopolitikës rrjedhimisht dalin në skenë, përveç Kinës si sfiduesja kryesore e SHBA-ve, edhe disa fuqi rajonale që sfidojnë dominimin amerikan në pjesë të ndryshme të globit dhe mbajnë marrëdhënie miqësore me Kinën. Në këtë rast India zë vend qendror, por nuk mbesin mbrapa edhe fuqitë rajonale si Turqia, Irani, Korea Veriore, Afrika e Jugut, Brazili…
Në përpjekjet e saj për rikthim të plotë në skenën botërore në cilësinë e superfuqisë, Rusia luan të gjitha levat e mundshme, për realizimin e ambicieve të saj. Aspak mbrapa saj nuk mbeten as India, Irani dhe Turqia.
Irani na rishfaqet sërish me ambiciet e tij bërthamore dhe me peshën që pretendon ta imponojë edhe në Lindjen e Mesme përmes provokimit të luftës në Gaza, po edhe mbështetjes së hapur të Huthit në Jemen.
Por, përderisa studjues të shumtë gjykojnë se ky rikthim i gjeopolitikës në themel ka garën amerikane të armatimeve dhe tensionet në rritje me Kinën, ai po promovon njëkohësisht edhe Luftën e re të Ftohtë që po shkakton përplasje mes fuqive rajonale për sferat e tyre të interesit që njëkohësisht sfidojnë hegjemoninë amerikane.
Lufta në Ukrainë imponoi ndryshimin e dinamikës
Ndërsa Lufta e Ftohtë i referohej konkurrencës së pushtetit dhe garës së armëve midis dy superfuqive – SHBA-ve dhe BRSS-së, rikthimi tek gjeopolitka dhe promovimi i Luftës së re të Ftohtë është ndërmarrje e madhe dhe përfshin sfidantë të rinj si Kinën, Rusinë, Indinë, Turqinë, Iranin… të cilët kërkojnë të promovojnë një rend të ri botëror.
Në këtë rend të ri botëror, sipas tyre, roli i SHBA-ve dhe i Perëndimit në përgjithësi, do të ishte shumë më i kufizuar se sa që ata kanë në rendin aktual.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore [LDB] po shpërfaqte në skenën e re politike dy fituesit shenjues të saj – SHBA-të dhe BRSSS-në. Ata tok, në zanafillën e Luftës së Ftohtë, që po promovonin me krijimin e dy blloqeve ushtarake, kishin ideologjinë [përballeshin demokracia liberale me komunizmin e tipit rus]. Lufta e Ftohtë e re bazohet përgjithësisht në interesa gjeopolitike dhe gjeoekonomike, që nuk kanë për orjentim fare ideologjinë. Ndërkohë ka zëra nga mileu i mendimit politik amerikan, se beteja për një rend të ri botëror ka për bazë edhe përplasjen ideologjike që për bazë ka demokracinë e tipit amerikan përballë autoritarizmit të tipit të Kinës, Rusisë a Iranit. Megjithatë, ekspertët nga pjesë të tjera të globit nuk e shohin këtë si një konkurrencë ideologjike, pasi politika e jashtme amerikane nuk promovon gjithmonë demokracinë.
Nga mbarimi i LDB e deri në rënien e perdes së hekurt në Berlin [1989], me çka shënohej edhe fundi i Luftës së Ftohtë, intensiteti i luftrave me prokurë në nivel planetar ishte më i ultë; ai nuk rrezikonte dot përplasjen mes superfuqive bërthamore.
Shpërthimi i lufëts në Ukrainë dhe dështimi rus për ta pushtuar e nënshtruar Ukrainën shpejt dhe plotësisht, ka imponuar dinamikë tjetër në rrafshin global. Rrjedhimisht intensiteti i konfliktit midis konkurrentëve në Luftën e Ftohtë të re duket se do të jetë më i lartë edhe për shkak të natyrës së lokalizuar të konflikteve.
Shpërthimi i luftës në procesin e shkërmoçjes së Jugosllavisë duket të ketë qenë prologu i këtij përballimi të ri mes superfuqive. Ndërhyrja e NATO-s atëbotë për të ndalur thellimin e gjenocidit në Bosnjë e Kosovë, pra jo për të parandaluar atë, kishte për objektiv edhe arsyetimin moral të një ndërmarrjeje të tillë që do të kufizonte rolin e Rusisë tutje në Ballkan.
Ndërkaq zhytja e Rusisë sot në një luftë të re, në Ukrainë, gjithësesi me shumë të panjohura, sado që në interesin e Putinit do të ishte që ajo të prodhojë një varg shpërthimesh në pjesë të ndryshme të planetit, ky konflikt po shkon drejt përplasjes afagjatë mes Europës dhe Rusisë.
Gjatë dinamikave të reja që mund të rrjedhin në këtë proces të rikthimit të gjeopolitikës, e bashkë me të edhe të promovimit të Luftës së re të Ftohtë, çdo konflikt midis SHBA-ve dhe Kinës do të kufizohet ekskluzivisht në rajonin Indo-Paqësor. Por, përderisa gjatë Luftës së Ftohtë [1947-1989] qe arritur një lloj barazpeshe dhe “mirëkuptimi” për ndarjen e sferave të interesit, zhvillimi i hovshëm i teknologjisë sot në përmasat e një Lufte Kibernetike, që është tipari shenjues i Luftës së re të Ftohtë, e bën përballjen të jetë sfiduese për të gjithë pjesëmarrësit.
Por, ngjashëm si në epokën e Luftës së Ftohtë dhe përballjes mes dy blloqeve atbotë [SHBA-BRSS], edhe sot në fillet e Luftës së re të Ftohtë, përballja mes fuqive bërthamore do të bëhet çmos që të shmanget.
Kjo intencë për shmangie të një përballje të tillë lexohet qartë edhe në reagimin e Papës, tek i bën thirrje Ukrainës që të ngrejë flamurin e bardhë dhe të fillojë bisedimet për paqë, edhe me kushtin që të humbas territor. Çdo luftë e drejtpërdrejtë në epokën e globalizimit do t’u kushtojë atyre edhe në frontin ekonomik.
Ndryshe nga periudha sa zgjati Lufta e Ftohtë, kur blloku amerikan dhe ai sovjetik u demarkuan, ndërkaq ekonomia globale ishte larg integrimit, Lufta e re e Ftohtë po promovon ndikimin e madh të përdorimit të sanksioneve amerikane ndaj konkurentëve rajonal të SHBA-ve, meqë fuqia ekonomike dhe dominimi i saj në tregjet botërore, gjykojnë ekspertët amerikan, luan një rol kryesor në botën globale./Pamfleti
Lini një Përgjigje