TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Mars 2024, 14:55

Vizita në Manastirin e Deçanit, Escobar: Amerika dëshiron që serbët të jetojnë të sigurt në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Vizita në Manastirin e Deçanit, Escobar: Amerika dëshiron

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë ka vizituar gjithashtu Manastirin e Deçanit, një ditë pasi Qeveria urdhëroi regjistrimin e tokës në Manastirin e Deçanit. 

Ai ka vizituar edhe Komunën e Pejës ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe me të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë.

Escobar tha se ajo që vuri re ishte që njerëzit po vuajnë dhe kanë vështirësi reale për marrjen e pensioneve teksa theksoi se qeveria do të mbajë përgjegjësi për jetesën e serbëve në Kosovë.

“Desha të vij në këtë vend për të dëgjuar historitë nga dora e parë që kanë njerëzit mbi ndikimin që është duke pasur vendimi i BQK-së. Është e vështirë që të dëgjohen këto histori dhe të mos lëvizet. Këtu është një komunitet që vërtetë janë duke vuajtur. Ka njerëz të cilët po përballen me vështirësi reale të mungesës së opsioneve për marrjen e pensioneve. Kështu që, unë dua vërtet që të punoj me Qeverinë me shpresën që të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme”, tha ai.

Në një prononcim për median lokale në gjuhën serbe “Radio Gorazhdevac”, Escobar tha se serbët në Kosovë dhe të gjithë që jetojnë këtu duhet ta ndiejnë mbështetjen e SHBA-së.

“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe për Qeverinë e Kosovës kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Escobar shtoi se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të zbatohet teksa shtoi se do të vazhdohet të punohet.

“Ndërkohë, në terma afatgjatë, ne duhet të punojmë fort për të zbatuar marrëveshjen historike për normalizim që e arritëm në mars të vitit të kaluar. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë, por ndërkohë mendoj që të gjithë njerëzit e Kosovës mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, përfshirë shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë që jetojnë në këtë vend. Shpresoj që e ndiejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, vijoi ai.

Lini një Përgjigje