
Janë publikuar të tjera përgjime mes Mimoza Kusarit dhe Sllavko Simiçit.
Shefja e deputetëve të VV-së tenton të bindë deputetin e atëhershëm të Listës Serbe për të votuar ligjet e mazhoracës, teksa fyen kolegët e saj shqiptarë.
Kusari i flet Sllavko Simiçit në veten e parë, dhe i shpreh keqardhjen e saj që duhet të takohen në mënyrë të fshehtë.
“Dëgjo Sllavko, më vjen vërtet keq për gjithçka që po ndodh. Unë, nga të gjithë njerëzit këtu, do të dëshiroja që së pari Kuvendi të funksionojë si duhet. Ti e di që unë nuk kam qenë me Vetëvendosjen kur kanë bërë atë çfarë kanë bërë…”, dëgjohet duke i thënë Kusari politikanit Simiç.
Kujtojmë që Kusari kishte qenë mjaft kritike ndaj mënyrës se si protestonte Vetëvendosje në vitet 2015 dhe 2016, e ku përfshihej edhe gazi lotsjellës në seancat e Kuvendit gjë që e pamundësonte funksionalizimin e tij.
Deputetja nga Gjakova më pas provon ta bindë Simiçin se ajo nuk ka dhe nuk ka pasur “agjendë destruktive.”
Më pas, znj. Kusari provon të shfajësohet për disa deklarata që i ka bërë në lidhje me Listën Serbe sa i përket çështjes së veteranëve të luftës. Në atë kohë veteranët po protestonin kundër vendimit të qeverisë për të mos i përfshirë në ligjin për pagë minimale.
Mimoza Kusari më pas e akuzon te Sllavko Simiçi ish-kryeministrin Haradinaj dhe “këta të PDK-së” për fryrjen e listave të veteranëve të luftës. Në një moment, derisa po flisnin për TRUST-in pensional, ajo i drejtohet Simiçit me fjalët: “…a e din bre ti kush është Bekim Haxhiu?” në mënyrë pezhorative.
Ajo flet edhe për Uran Ismailin, të cilin e quan “idiot patetik” megjithëse e pranon se me të kishte pasur dikur shoqëri.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është… Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK”, dëgjohet derisa i thotë shefja e grupit parlamentar të VV-së.
Lini një Përgjigje