TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Prill 2023, 10:53

Pesë kriteret e BE-së për Asociacionin në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Pesë kriteret e BE-së për Asociacionin në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviç  po raporton ditën e sotme për procesin e dialogut dhe takimet e mbajtura në Bruksel.

Ai tha se ka një pajtim të plotë në Bruksel, që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Bislimi përmendi  edhe 3 kriteret e tjera, si harmonin  në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Ai theksoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

“Në ç’masë është [drafti i statutin] në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni.  Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto kritere do mund të sigurojnë që ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni]", tha ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se në dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është hequr një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. 

“Në propozimin e fundit për dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është larguar vetëm një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të palës serbe. Dokumenti do të bëhet publik, ne momentin kur dy liderët e aprovojnë”, ka shtuar ai.

Bislimi tha se nuk ka garanca që Serbia të ndalojë lobimin kundër Kosovës, por që kjo nënkupton shkelje të marrëveshjes.

kosova serbia asociacion

Lini një Përgjigje