TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Prill 2023, 14:31

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Borrell: Pakti për personat e zhdukur hapi i parë i marrëveshjes

Shkruar nga Pamfleti

Takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, Borrell: Pakti  për

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur që Besnik Bislimi e Petar Petkoviç arritën dje është hapi i parë i Marrëveshjes së Ohrit.

Borrell tha se kjo marrëveshje do të miratohet në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

“Serbia dhe Kosova u zotuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj. BE pret që të dyja të respektojnë të gjitha detyrimet prej saj dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt. Marrëveshja për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur që Besnik Bislimi e Petar Petkoviç arritën dje është hapi i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje do të miratohet në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”, është shprehur Borrell.  

Ai ka theksuar se palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, janë takuar ditën e djeshme në Bruksel, ku kanë  diskutuar për hapat e ardhshme në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për tekstin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt. Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

kosova be serbia marreveshja e ohrit

Lini një Përgjigje