
Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka deklruar se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.
Këtë të mërkurë në ditën e tretë të gjyqit në Hagë, avokatja e Jakup Krasniqit ka thënë se ajo që ka prezantuar prokuroria kundër klientit të saj nuk ka të bëjë asgjë me të.
“Aktivitetet nuk mund të lidhen me asnjë krim që prokuroria pretendon se ka kryer Krasniqi. Krasniqi nuk kishte kompetenca që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Aktakuza pretendon se Krasniqi ka marrë pjesë në krime në tri raste. Provat do ta tregojnë të kundërtën”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se prokuroria mbivlerëson organizimin e UÇK-së dhe se prokuroria duket se është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së.
“Kjo ishte një fantazi. Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së, duke nxjerr dokumente nga çka ka qenë situata në terren. UÇK nuk e kishte strukturën e një ushtrie”, tha ajo.
Ajo ka treguar periudhat në të cilat gjatë vitit 1999 Jakup Krasniqi nuk ka qenë në Kosovë.
“Gjatë muajit shkurt ai ka qenë në Rambuje për negociata, më pastaj është kthyer në mars dhe nga prilli deri më 15 qershor, për tre muaj ka qëndruar në Shqipëri, pavarësisht periudhës së shkurtër që bëri një turne nëpër vendet perëndimore. Distanca fizike ka qenë e madhe”, tha ajo.
Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojn.
“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.
Ajo tha se ZPS-ja nuk ka asnjë “provë të besueshme që e lidh Krasniqin me asnjë krim, nuk ka prova për qëllime të përbashkët kriminal”.
Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte objektiv kundërshtarët, por që përfshinin edhe ata që konsideroheshin: Tradhtarë; Kolaboracionistë; Mbështetës ose anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në thelb, Prokuroria Speciale u shpreh se gjykimi nuk i shkonte në fakt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por këtyre 4 individëve të cilët përpos se ishin drejtues kishin për qëllim që të shfrytëzonin organizatën apo nismën e tyre në luftë, për qëllime vetjake pushteti. Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen. Një ndër argumentet që ata mbështetën për këtë tezë të tyren ishte fakti se shumica e viktimave në fakt ishin shqiptarë.
Sipas Whiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë - shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe - si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”.
Lini një Përgjigje