TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Prill 2023, 08:02

Dita e tretë e gjyqit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot flet ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit

Shkruar nga Pamfleti
Dita e tretë e gjyqit në Hagë ndaj ish-krerëve të
Jakup Krasniqi gjatë senacës në gjyqit në Hagë

Sot më 5 Prill është dita e tretë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Pas Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, sot ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi do të mbajë fjalën.

Ndërsa dje trupës gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.

Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ka pasur fuqi komanduese mbi UÇK-në, e as nuk ka ushtruar pushtet efektiv si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.

Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit tha se ndaj tij nuk ka asnjë provë e dëshmitarë që e lidh me krimet e pretenduara në aktakuzë Sipas mbrojtjes së Rexhep Selimit, në aktakuzë nuk ka aludime se ai ka urdhëruar ndonjë krim të pretenduar

Gjatë fjalimit para trupit gjykues, ish-eprori i UÇK-së, Hashim Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh së është i pafajshëm.

Thaçi tha se ky gjykim ka shfajësuar atë, UÇK-në dhe popullin e Kosovës me pretendimet për trafikim organesh. Ai theksoi se të gjithë në Kosovë e dinim që gjatë gjithë kohës, se pa ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe të SHBA-së nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur. Ne kemi mbështetur drejtësinë, sidomos atë ndërkombëtare. Kur raporti i Dick Martyt mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova Bashkësisë Ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. 

Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se ai nuk ka frikë nga drejtësia, por "nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë", duke shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të dëshmohet pafajësia e tij.

Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte objektiv kundërshtarët, por që përfshinin edhe ata që konsideroheshin: Tradhtarë; Kolaboracionistë; Mbështetës ose anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në thelb, Prokuroria Speciale u shpreh se gjykimi nuk i shkonte në fakt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por këtyre 4 individëve të cilët përpos se ishin drejtues kishin për qëllim që të shfrytëzonin organizatën apo nismën e tyre në luftë, për qëllime vetjake pushteti.  Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen. Një ndër argumentet që ata mbështetën për këtë tezë të tyren ishte fakti se shumica e viktimave në fakt ishin shqiptarë.

Sipas Whiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë - shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe - si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”. Prokuroria argumentoi se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike apo rome.

 

gjykata e hages kosova gjyqi ndaj ish-krerëve të uÇk-së

Lini një Përgjigje