TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Prill 2023, 22:19

Osmani kundër Asociacionit: Serbia do një Dodik të dytë në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Osmani kundër Asociacionit: Serbia do një Dodik të dytë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për gazetën “die Presse”, ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe ka folur për sukseset dhe vijat e kuqe në bisedimet me Beogradin, duke paralajmëruar për përpjekjet e Moskës për destabilizim.

-Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në parim për planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella. A do t’i afrojë këto dy vendet?

Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE-ja do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabartë për herë të parë. Përmes saj e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 aty e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe atë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE.

Daçiç ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e asociacionit të komunave serbe. Vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që kemi arritur me Beogradin. Por nuk mendoj se shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare e marrin seriozisht zotëri Daçiq dhe atë që ai bën. Ai tashmë në karrierën e tij politike ka treguar se ndryshon çdo ditë pozicione.

-Pse Kosova nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen për krijimin e asociacionit serb të komunave? Cili është problemi?

Problemi kryesor është Serbia. Për shembull, nëse Austria do ta kërkonte një shoqatë të veçantë për austriakët në Kosovë, ne nuk do të shqetësoheshim aq. Austria e njohu Kosovën si shtet. Nuk është qëllimi i Austrisë ta minojë pavarësinë tonë. Serbia nuk dëshiron të zgjerohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç bënë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë.

-Dhe si mund të zgjidhet kjo?

Nëse Kosova zbaton dokumentet për të cilat është zotuar, do të kujdeset të veprojë në përputhje me kushtetutën. Ato  gjithashtu përmendin multietnicitetin. Një bashkim i komuniteteve serbe gjithashtu do të duhej të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë atje. Ne kemi një vijë të kuqe të qartë: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane. Kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes, siç është njohja e simboleve kombëtare. Serbia ka treguar se nuk dëshiron ta zbatojë këtë. Ne presim që edhe nëse Serbia e bllokon këtë, partnerët tanë do të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

BE-ja dëshiron ta ndajë Serbinë nga Rusia. Por, kjo nuk guxon të bëhet në kurriz të Kosovës. Tani që Bosnja e Hercegovina është gjithashtu një vend kandidat, është koha që procesi i anëtarësimit në BE të hapet edhe për Kosovën. Ne jemi më përpara se shumë të tjerë, për shembull kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit apo mbrojtjen e  pakicave. Pra, ne meritojmë të jemi pjesë e procesit të anëtarësimit.

-Të hënën në Hagë fillon gjykimi i paraardhësit tuaj Hashim Thaçi. Atje ai akuzohet për krime lufte së bashku me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se fundi i këtij procesi do ta konfirmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.

dodik osmani serbia

Lini një Përgjigje