Akti “pagëzues” i mulla Shefqetit, që u soll si Xhon Pagëzori, veçse me yuotube, përfaqëson një ‘minë me sahat’ për zhvillimet politike, por edhe më gjerë të Kosovës...
Para disa ditësh, opinioni në Kosovë e mori me të tallur një akt të fortë të Shefqet Krasniqit, hoxhës viral, i cili pagëzoi serbin Radovan në muslimanin Ridvan. I cili përveçse u konvertua në islam, me një magji të mullait yll instagrami, u bë edhe shqiptar, si pa gjë të keq...
Mediat e Prishtinës në pjesën më të madhe të tyre, e paraqitën si fakt viral, gati gati ekzotik, madje disa prej blogerëve apo analistëve më kitch, përsëritën përshtypjen se mulla Shefqeti është komunikatori më i zoti në Kosovë, dhe kështu e ka hak që të avancojë edhe më tej, madje edhe të merret me politikë.
E këtu vijmë tek pika që në Kosovë është mjaft e prekshme, që politikanët hoxhallarë, apo islami politik, nuk është më një mundësi, por një realitet konkret.
Thjesht nuk jemi në fazën e Iranit, ku mullahët bëhen deputetë apo ministra, por në Kosovë, lobi i hoxhallarëve është vendimtar në zgjedhje dhe në ndikimet politike në vend. Shpesh edhe duke imponuar axhendën e diskutimit publik, ku temat kërcasin, ngaqë janë në kundërshtim me vlerat që përfaqson një shoqëri e lirë perëndimore.
Nga ana tjetër, akti “pagëzues” i mulla Shefqetit, që u soll si Xhon Pagëzori, veçse me yuotube, përfaqëson një ‘minë me sahat’ për zhvillimet politike, por edhe më gjerë të Kosovës.
Rasti i rrëfimit të një besimtari përpara një predikuesi apo kleriku, është akti më i rëndësishëm i koshiencës së tij, e si i tillë mbetet dhe duhet të jetë konstitucionalisht një akt totalisht privat.
Në realitetin e përditshëm ka shpesh raste të tilla ku besimtarët ndryshojnë mendim sa i përket çështjeve religjoze, largohen nga besimi, rikthehen prapë, ndryshojnë fe etj. Por këto, nëse proklamohen në një demonstrim publik, apo përbëjnë një rit propagandistik, përbëjnë një akt të rëndë të shkeljes së Kushtetutës së Kosovës, një shteti laik, i orientuar përkundrejt vlerave perëndimore.
Megjithatë, pjesa më e rëndë e aktit të Krasniqit është se i ka dhënë Beogradit një armë nga më të rëndësishmet për të sulmuar Kosovën.
Deri tani, propaganda serbe e Vuçiç, veglave të tij dhe përgjithësisht mediat serbe, nuk pushojnë në narracionin se serbët e Kosovës po jetojnë progomet e shqiptarëve. Propaganda serbe, si bazë të identitetit të tyre nacional, ka ndoshta më shumë se gjuhën dhe etninë, qënien ortodoks. Ndaj edhe mediat skandaloze të Beogradit e kishin në krye të titujve “pagëzimin” konvertues të Radovanit-Ridvan të Shefqet Krasniqit. I cili siç e tha vetë jo vetëm që e flet serbishten perfekt, por edhe dokumentin e identitetit e pasaportën e ka të republikës së Vuçiçit.
Edhe në Europë kur udhëton tek mërgimtarët për ligjërata e shërbime, mullai i instagramit përdor rrugën nga Serbia, si një pjesë e mirë e udhëtarëve kosovarë. Merr pjesë rregullisht në aktivitetet që zhvillohen qoftë në Luginë, Novi Pazar, por edhe në Beograd, prej klerikëve apo organizatave muslimane.
Por se ku preferon të kalojë njëri klerik apo një tjetër, kjo nuk ka rëndësi në këtë rast, por autogoli i radhës i klerikëve muslimanë të Kosovës, të cilët islamin politik e kanë kthyer në një kauzë prej shumë vitesh. Sidomos duke pasur parasysh se qoftë hoxhë Shefqeti, qoftë edhe shumica e klerikëve janë përkrahës të Albin Kurtit e Vetëvendosjes. Ndaj nuk është aspak çudi që nga Beogradi të vijë e gatshme kauza e re e “diskriminimit” nga Kosova. Dhe këtë radhë e kanë me video; jo vetëm që e kanë kthyer musliman, por i kanë ndryshuar edhe emrin edhe e bëjnë të flasë shqip. Fabul më të qepur Vuçiqi, nuk ka ku gjen…/Pamfleti
Lini një Përgjigje