
Edhe pse u deklarua se ka pasur refuzim nga të dyja palët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç janë takuar në Moldavi.
Kjo është konfirmuar nga Vjosa Osmani gjatë një deklarate për mediat. Osmani tha se gjatë takimit ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Presidentja theksoi se edhe njëherë u dëshmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz, ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”, u shpreh ajo.
Më tej presidentja Osmani tha se do të vazhdojë të punojë me Gjermaninë, Francën e SHBA-në si aleat kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken.
“Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara. Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani në një intervistë për RTK-në nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.
Lini një Përgjigje