TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Janar 2026, 10:59

Moti i keq prek edhe Kosovën, përmbytet Prishtina; ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq prek edhe Kosovën, përmbytet Prishtina; ndërpritet
Përmbytje në Prishtinë

Moti i keq paraqet situatë problematike edhe në Kosovë ku gjithashtu ka pasur përmbytje.

Në Prishtinë, disa segmente rrugore janë mbushur me ujë duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se mund të shfaqen probleme të kanalizimeve, grumbullim të ujit në zonat urbane dhe nënkalime.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ujësjellësi rajonal ka njoftuar se për shkak të reshjeve dhe nivelit të lartë të turbullirave në kanalin Ibër-Lepenc, do të ndërpritet furnizimi me ujë në Fushë Kosovë, Drenas, Obiliq dhe një pjesë të lagjes “Kalabria” në Prishtinë.

Shirat kanë përmbytur edhe zona në Prizren e Rahovec.

Më së shumti janë prekur rajonet perëndimore, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Klinën, si dhe pjesa qendrore e vendit, ku disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtrati i tyre.

Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Ibri, Sitnica, Lepenci dhe Morava e Binçës, kanë rritje të lehtë të nivelit të ujit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me një njoftim për qytetarët duke i këshilluar për kujdes të shtuar për sigurinë e shëndetin:

• Aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit. Megjithatë, qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

• Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut.

• Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme.

moti i keq kosove permbytet prishtina

Lini një Përgjigje