
Kushtetuesja i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë, Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri...
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit dhe dërgimit të vendit në zgjedhje të parakoshme.
Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe atë të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Kushtetuesja i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë, Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri. Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
"II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;
III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës", thuhej në njoftimin e GJK.
Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja shton se nëse presidenti i ri nuk zgjidhet brenda këtij afati, atëherë ‘’ Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi duhet të shkojë një zgjedhje brenda 45 ditësh’.
"IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;", thuhej më tej në vendimin e GJK.
Kujtojmë se në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.
Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare. Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhjeve të parakohshme
Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo partia e kryeministrit Albin Kurti.
Osmani e arsyetoi dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, meqë mandati i saj përfundon më 4 prill, dhe se deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.
Partia në pushtet kundërshtoi dekretin e Osmanit duke argumentuar se nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.
Më 31 mars, Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e LVV-së, dhe vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se vendimi është ex officio dhe se ai ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa të merrej vendimi për rastin.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO72/26 dhe KO74/26/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 25 mars 2026, ka vendosur për kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KO74/26, të parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 (tridhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë “së dekretit nr. 24/2026 të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;
III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;
IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VI. TUA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Lini një Përgjigje