Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendeskryeminsitrin Besnik Bislimi kanë zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë në lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit.
Në një komunikim për mediat nga kryeministria, bëhet me dije se në takim janë diskutuar veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe pjesëtarëve të mediave.
“Edhe pse në këto grumbullime sot ka edhe protestues paqësorë, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar. Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë joserbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej, në këtë takim Kurti ka shprehur rëndësinë dhe nevojën për deeskalim të situatës, duke shtuar gjithashtu edhe gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-it.
“Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e sotme atje, kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për deeskalimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi. Ata u dakorduan që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim”, përfundon njoftimi.
Lini një Përgjigje